close
Rajoni

POMPEO URON KURTIN – TË HIQET TAKSA

Screenshot_6

Marrjen e detyrës së re si kryeministër i Kosovës Albin Kurtit ia ka uruar përmes një letre edhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Megjithatë nëpërmjet kësaj letre ai ka kërkuar nga Kurti heqjen e taksës për mallrat nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina si dhe rifillimin e dialogut. Sipas tij tashmë është koha të realizohen raportet normale me Serbinë me njohje reciproke.

“Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit” -i ka shkruar Pompeo Kurtit.

Kryeministri Kurti vazhdon të këmbëngul në qëndrimin e tij se taksën do ta zëvendësoj me masa reciprociteti ndaj Serbisë.

Në një intervistë në Rubikon të KTV-së Kurti ka thënë se nuk e di sa kohë do të marrë çështja e zëvendësimit të taksës me reciprocitet.

“Njëherë do ta shpalosim përmbatjen e reciprocitetit, do t’i njoftojmë faktorët ndërkombëtarë dhe Beogradin. Në MTI gjendet një dosje që ne duhet ta gjejmë, të shkeljeve të marrëveshjeve CEFTA nga ana e Serbisë. Pafund barriera jotarifore i ka vënë mallrave të Kosovës Serbia.”- tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Para se të niset për në Mynih të Gjermanisë në konferencën për Siguri kryeministri Albin Kurti i ka dërguar një ftesë presidentit Hashim Thaçi për t’u takuar dhe për t’i bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme.

Por ndërkohë presidenti Thaçi është nisur për në Gjermani pa e takuar fare Kurtin.

Në këtë konferencë gjasat janë të mëdha që të ketë një takim të kryeministrit Kurti me presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Madje ata mund të jenë edhe në një panel të përbashkët.

Ndërsa pritet edhe nënshkrimi i marrëveshjes për hekurudhat. Ajo që tashmë është e sigurt është se Thaçi, Vuçiq e Kurti do të kenë takime me të dërguarin special të SHBA-së për dialogun Richard Grenell. Nuk dihet nëse është paraparë takim i përbashkët apo do të zhvillohen takime të ndara me Grenellin. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia