close
Top LajmeVendi

PRESIDENCIALET: ZAEVI E AHMETI AFËR MARRËVESHJES?

AB9F3BC5-4450-418B-8D4A-CD697DAC6ABD_w1023_r1_s

Java e ardhshme vendimtare për kandidat të përbashkët


Pavarësisht dallimeve, Lidhja Socialdemokrate e kryeministrit Zoran Zaev dhe Bashkimi Demokratik për Integrim i Ali Ahmetit duket se më në fund po gjejnë gjuhë të përbashkët për një kandidaturë konsesuale për postin e shefit të ri të shtetit. Burime të Televizionit tonë thonë se qëndrimi përfundimtar për këtë do të dihet jo më vonë se javën e ardhshme. Ndërkohë, refuzimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga ana e partnerëve të koalicionit qeverisës, hap dilemën nëse bojkotimi i presidencialeve nga ana e opozitës mund të vë në pikëpyetje zgjedhjen e Presidentit.

Tashmë LSDM-ja dhe BDI duket se kanë rënë në ujdi se në emër të thellimit të reformave të shumëkërkuara për integrim në Bashkimin Evropian e në NATO, nuk do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, një kërkesë kjo bosht e opozitës maqedonase të prirë nga VMRO-DPMNE, por edhe e asaj shqiptare. Nga tabori i socialdemokratëve të kryeministrit Zoran Zaev, ndërkaq mesnatën që lamë pas doli qëndrimi që për Zgjedhjet presidenciale të prillit të nisin konsultimet për një kandidat të përbashkët i cili do të arkëtonte votat e spektrit të gjerë, si të partive në pushtet, ashtu edhe të atyre jashtë tij, por edhe të shoqërisë civile, një kandidaturë kjo konsensuale e kërkuar prej vitesh nga kreu i integristëve Ali Ahmeti.

Burime të Televizionit Klan thonë se qëndrimi përfundimtar për këtë do të dihet jo më vonë se javën e ardhshme, ndërkohë që dyshja Ahmeti-Zaev duket se kanë reduktuar edhe emrat e kandidatëve për të cilët mendohet se mund të sigurojnë numrin më të madh të votave. Beteja do të bëhet më e nxehtë edhe me kandidatët e partive opozitare shqiptare të cilat, po ashtu, po punojnë për të nxjerrë një përfaqësues të tyre.

Mirëpo, droja se VMRO-DPMNE-ja mund të bojkotojë raundin e dytë, atë të balotazhit, për shkak se llogaritet se kandidati i saj nuk ka për të qenë favorit, ka bërë që ekspertët të tërheqin vërejtjen se nëse ndodhë kjo, atëherë i gjithë procesi mund të vihet në pikëpyetje, për shkak se parashikohet se me këtë rast nuk do të arrihej censusi i daljes prej 40 për qind të votuesve në vendvotime. Kjo do të shkaktonte një krizë presidenciale të llojit të vet dhe, për mungesë të shefit të shtetit, këtë rol përkohësisht, deri në gjashtë muaj, konform Kushtetutës, do ta ushtronte kryeparlamentari aktual Talat Xhaferi. Ndërkohë, si mundësi është që mazhoranca të vendosë që kreu i shtetit të zgjedhet nga Parlamenti e jo me zgjedhje direkte nga qytetarët.  /Seladin Xhezairi/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia