close
Rajoni

PRISHTINË: A PO E SHPËRFYTYRON KOMBIN RADIKALIZMI FETAR NË KOSOVË?

KIPRED_Logo_BIG_473526
Studiuesit kosovarë thonë se feja islame në Kosovë nuk duket që është në formën e saj ashtu siç është predikuar me shekuj. Ka dështuar edhe shteti, shprehen ata, ndonëse Kosova që nga viti 2014 është rreshtuar në aleancën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të udhëhequr nga SHBA-së
Feja islame në Kosovë ka filluar së fundi në disa segmente të ketë forma të radikaliuzara. Për rrjedhojë islami nuk duket që është në formën e tij ashtu siç është predikuar me shekuj me të cilin një pjesë e popullsisë është mburrur dhe e ka përqafuar atë – si besim dhe si kulturë. Kështu thonë sociologët dhe teologët kosovarë, në kohën kur në Kosovë është ngritur alarmi për siç thuhet “rrëshqitje”, i një pjese të popullatës nga civilizimi perëndimor në atë lindor.
Një studim i fundit i publikuar nga Instituti për Hartimin e Politikave (KIPRED) në Prishtinë, ka nxjerrë në pahë se në Kosovë është duke u rritur numri i qytetarëve që identifikohen me religjionin para përkatësisë së tyre kombëtare.
“Çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës. Ndikimi i fesë në identitetin etnik në periudhën e shtetndërtimit”, quhet hulumtimi që vë në pah se standardi i jetesës nuk është përcaktues i bashkëjetesës fetare, mos tolerancës fetare dhe ekstremizmit.
“57 përqind e shqiptarëve myslimanë e ndiejnë veten shqiptarë së pari pastaj myslimanë. 32 % e ndjejnë veten së pari myslimanë e pastaj shqiptarë dhe kjo është ajo zhvendosja shumë e madhe, ku identiteti shqiptar shndërrohet në identitet linguistik dhe është ai drejtimi që po e merr drejt për këtë pjesë të shoqërisë, si një shoqëri religjioze – etnike, në vend që të ishte etnike dhe pastaj me elemente fetare qysh kanë qenë përpara shqiptarët”, thotë për DW Drejtori i Institutit (KIPRED), Lulzim Peci.
Po si e shpjegojnë këtë fenomen sociologët kosovarë? Smajl Hasani, sociolog i religjionit  tha se “shfaqja e radikalizmave në trajtën e ekstremizmave në vendet e predikimit në situatat që janë krijuar nga fushëbetejat e pakuptimta në Lindjen e Mesme, është diçka që vështirë mund të kuptohet pa një analizë të mirë në aspektin sociologjik në aspektin psikologjik dhe në dimensione tjera etnokulturore. Ajo çka po i ndodhë Kosovës është diçka e veçantë për identitetin kur dihet që pjesa dërmuese e popullsisë së Kosovës i përkasin dy përkatësive të mëdha konfesionale – fesë myslimane dhe katolike. Pra, kjo që po ndodhë vërtetë është vështirë të kuptohet”, thotë Smajl Hasani.
Vërejtje e përbashkët e stdiusve kosovarë është se reagimi i institucioneve të Kosovës pas shfaqjes së radikalizmit fetar ishte i vonuar, ndërkohë që sipas teologëve, luftimi në emër të fesë është i gabuar dhe kjo ideologji asnjëherë nuk ka qenë e pranishme në trevat shqiptare dhe asnjë luftëtar që i është bashkangjitur ISIS-it, thonë teologët,  nuk ka dalur nga medresetë e Kosovës.
Por, hulumtimi i institutit (KIPRED), ka nxjerur në pah faktin se institucionet e Kosovës kanë anashkaluar problemin e rritjes së radikalizmit në Kosovë. Së këndejmi shtrohet si nevojë e domosdoshme rritja e efikasitetit të istemit të drejtësisë, i cili duhet të batojë ligjin ndaj gjuhës së urrejtjes fetare dhe etnike si dhe predikimit të ekstremizmit.
Kosova që nga viti 2014 është rreshtuar në aleancën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të udhëhequr nga SHBA-së. /Agjencitë/
Klan Macedonia

The author Klan Macedonia