close
Rajoni

PRISHTINË: DELAVUI POROSIT OPOZITËN – E DËMTONI KOSOVËN

no thumb

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka marr mbështetjen e ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Greg Delaui, që nesër Kuvendi të zhvilloj seancën plenare pa u penguar. Diplomati amerikan pas takimit me Veselin pati një mesazh të qartë për partitë opozitare, ata të cilët sipas tij, sollën armë në Kuvend dhe sulmuan kolegët e tyre.

Ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delaui pas takimit me kreun e Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin, ka bërë të ditur se i ka dhënë mbështetjen e plotë kryeparlamentarit Veseli lidhur me seancën e paralajmëruar për ditën e nesërme.

Diplomati amerikan e quajti kritike dhe të rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të vazhdoj seancën nesër në mënyrë që të kalojë dhe miratojë ligje të cilat janë qenësore për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Ai, madje pati edhe një mesazh për opozitarët.

“Dua të them se njerëzit në gjithë botën, Qeveritë e tyre, investitorët po shohin dhe po lexojnë dhe po shohin imazhet e dhunës dhe kaosin në institucionin me të rëndësishëm të Kosovës. Kjo nuk është një gjë e mirë për Kosovën. Për ata njerëz të cilët kanë sjellë edhe armë brenda Kuvendit të Kosovës dhe e kanë përdorur kundër kolegëve të tyre në Kuvend, kam një mesazh. Ju po e dëmtoni ekonominë e Kosovës, ju po e rrezikoni izolonim e Kosovës nga rruga e saj euroatlantike, ju po e dëmtoni shansin e Kosovën për liberalizimin e Vizave dhe gjithashtu dhe njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera. Shtetet e Bashkuara besojnë fuqishëm që qytetarët e Kosovës duhet të jenë të gjithë të barabartë para ligjit dhe të respektojnë ligjin.” – deklaroi Greg Delawi: Ambasador i SHBA-ve në Kosovë.

Edhe kryeparlamentari Veseli, kërkoi që Kuvendi të mos bllokohet nga opozita, pasi legjislativi nuk është pjesë e nënshkrimit të asnjë marrëveshje. Sipas Veselit, Kuvendi është vend ku mund të shprehen të gjitha shqetësimet, veçanërisht për çështje tematike, qofshin ato për marrëveshjen e Asociacionit dhe atë të demarkacionit.

“Dëshiroj të përçoj edhe këtë mesazh, Kuvendi nuk është vendi ku duhet të ketë bllokadë, Kuvendi është vendi ku ne duhet të komunikojmë bashkërisht, në mënyrën që të arrijmë zgjidhje që janë në interesin e qytetarëve të Kosovës. Nëse ka vend ku mund të shprehet patriotizmi nacional dhe qytetar dhe ku mund të përmirësohet jeta e qytetarëve tanë, është vetëm Kuvendi. Çdo veprim tjetër i cili është në kundërshtim me këtë qëllim, është vetëm kundërshtim me vet qenësinë tonë dhe të zgjedhurit të popullit. Kuvendi nuk është pjesë e tematikës së bllokadës, pasi as nuk ka nënshkruar asgjë, as nuk duhet të jetë pjesë e bllokadës së paarsyeshme.” – shprehet Kadri Veseli – Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Veseli poashtu u ka bërë thirrje kolegëve opozitarë që të shkojnë në Kuvend, pasi me shumë se kurrë Kosova ka nevojë që të jenë bashkë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, siç është nënshkrimi i MSA-së me BE-në si dhe kalimi i testit të parë për anëtarësim në UNESCO. /KosovaPress/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia