close
Rajoni

PRISHTINË: DEMARKACIONI, PROJEKTLIGJI MIRATOHET ME GAZLOTSJELLËS

froy-614×380

 

Në kushte të vështira nën gazin lotsjellës Komisioni për punë të Jashtme ka proceduar për në Kuvend Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit shtetëror ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas debateve të ashpra, ka eskaluar situata dhe nënkryetari i Vetëvendosjes, Dritan Çaushi, ka hedhur gaz lotsjellës, duke bërë të pamundur mbarëvajtjen e mbledhjes së Komisionit.

I kryesuar nga deputeti Elmi Reçica, Komisioni për punë të Jashtme, me kundërshtimin e deputetëve të opozitës u pajtua që duke pasur parasysh dokumentet paraprake mbi të cilat është bërë pavarësia e Kosovës, deklarata e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës, opinioni këshillëdhënës i GJND-së për pavarësinë e Kosovës, është propozuar ky projektligj për ratifikim në Kuvend.

Anëtarja e Komisionit, Puhie Demaku, duke kundërshtuar këtë projektligj, kërkoi që t’i kthehet Qeverisë e cila e ka proceduar për miratim në Kuvend. “Nëse e kalojmë këtë projektligj, bëhemi bashkëpjesëmarrës të krimit”, tha ajo.

Edhe deputeti Zafir Berisha shprehu qëndrimin kundër këtij projektligji për procedim në Kuvend.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri, duke u shprehur pro projektligjit për procedim në seancë, tha se kjo çështje është dashur që të përfundojë shumë kohë më parë, duke shtuar se procedimi i këtij projektligji ka bazë ligjore.

Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, deputetët Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Driton Çaushi, Ismail Kurteshi, Shaip Muja dhe Pal Lekaj, theksuan arsyet e kundërshtimit të kësaj marrëveshje. /Agjencitë/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia