close
Rajoni

PRISHTINË: DYSHIME PËR VARREZË MASIVE NË KAMPUSIN E UP-së

up-1306161

Në kampusin e Universitetit të Prishtinës kanë filluar punimet, pasi dyshohet se aty ekziston një varrezë masive. Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka thënë se ka dyshime për viktima të përkatësisë shqiptare. Inicimi i gërmimeve në këtë lokacion vjen pas deklaratave të disa qytetarëve se kishin parë forcat serbe duke gërmuar në këtë lokacion gjatë kohës së luftës.

Në Kosovë ende gjurmohet për 1665 persona të zhdukur. Gërmimet zhvillohen në bazë të lejes gjyqësore në bashkëpunim me përfaqësues të Misionit të KFOR-it dhe EULEX-it – ka thënë prokurori Elez Blakaj.

Përfaqësues të shoqatave të familjeve të personave të zhdukur në Kosovë, ka theksuar se nuk mund të flitet për numrin e të zhdukurve kur ende nuk dihet se a ka pesona të varrosur në këtë lokalitet.

Kryetari i Komisionit për persona të zhdukur në Qeverinë e Kosovës, Prenk Gjetaj ka thënë se gërmimet kanë filluar në njërën prej tre lokaliteteve që do të hetohen dhe në rast të gjetjes së viktimave eventuale, hapësira do të lokalizohet dhe do të vazhdohet me hetim profesional arkeologjik. Ai gjithashtu ka lënë të kuptohen se asnjë objekt fetar apo institucional nuk do të dëmtohet.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komisionit për persona të zhdukur në Qeverinë serbe Veljko Odaloviq ka deklaruar se zgjidhja e fatit të të zhdukurve është një çështje e ndjeshme dhe duhet të hetohet se a ka me të vërtetë në këtë lokalitet varr masiv, duke theksuar se gërmimet po zhvillohen në një vend të ndjeshëm, në afërsi të tempullit ortodoks në qendër të Prishtinës.

Ky tempull është ndërtuar gjatë kohës së manadait të Milosheviqit dhe në Kosovë ka shkaktuar polemika të shumta për fatin e mëtutjeshëm të tij. /Agjencitë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia