close
Rajoni

PRISHTINË: GRENELL TAKON THAÇIN

01FAD350-1BC3-4B32-B22F-D114DDE3ECE9_w1200_r1_s

I dërguari i Posaçëm i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi ka arritur mbrëmë në Prishtinë. Ai ka darkuar me presidentin Hashim Thaçi. Thaçi ka paralajmëruar arritjen e marrëveshjes finale me Serbinë në lidershipin e Donald Trump.

Me një orë vonesë ka nisur darka e punës ndërmjet të dërguarit të Posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi Richard Grenell dhe presidentit Hashim Thaçi.

Dy ditë pas arritjes së marrëveshjes për linjën special ajrore Prishtinë-Beograd, Grenell tha se presidenti amerikan Trump është i interesuar që sa më shpejtë të arrihet marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

“Presidenti Trump është i interesuar për të arritur marrëveshje e cila do të ishte e mirë për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë, dhe e cila do të ishte në interes të qytetarëve e që do t’u sillte të mira ekonomike. Kosova dhe Serbia kanë çështje të pazgjidhura politike dhe së pari duhet të zgjidhen këto çështje që të ketë mirëqenie dhe një ekonomi të lirë. Duam të zhvillojmë ekonomikisht këtë rajon. Të rinjtë kanë nevojë për punë, kjo është politika e presidentit Trump.” –tha Richard Grenell, i Dërguari i SHBA-së për dialogun.

Grenell tha të mos ketë preference për një koalicion të caktuar qeveritar në Kosovë.

Ndërsa presidenti Thaçi tha se i beson administratës Trump për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Faleminderit për marrëveshjen e re të arritur. Është marrëveshje historike. Falënderime personale për presidentin Trump. Besoj se nën udhëheqjen e presidentit Trump, do të mund të arrijmë shumë më shumë paqe, stabilitet, dhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, do të kontribuonte shumë për paqen e Ballkanin Perëndimor. Roli juaj është krucial. Atë që të tjerët s’kanë arritur ta bëjnë, e ka bërë SHBA-ja.” -deklaroi Hashim Thaçi, Presidenti i Kosovës.

Duke folur për nominim e kandidatit të LVV-së për kryeministër, Thaçi tha se tash u mbetet partive të punojnë për arritjen e marrëveshjes. Sipas tij Grenell është këtu për dialogun, jashtë agjendave lokale e elektorale.

Sot Grenell do të vazhdojë takimet me përfaqësues të partive politike në Kosovë ndërsa të premten ai pritet të vizitojë Beogradin ku atje do të takohet me presidentin serb Aleksandër Vuçiq. /Blerta Dalloshi-Berisha, Prishtinë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia