close
Rajoni

PRISHTINË: KDI-JA “ZGJEDHJA E PRESIDENTIT NGA POPULLI”

no thumb

Instituti Demokratik i Kosovës, në publikimin e punimit diskutues “Zgjedhja e Presidentit nga Populli” ka vlerësuar se mënyra e zgjedhjes së presidentit nuk duhet të ndryshohet. Ndërsa, në anketën e zhvilluar me qytetarë 89.7 % e qytetarëve janë pro zgjedhjes së presidentit drejtpërdrejtë me votë të popullit.

Në një konferencë për media, Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës,  tha se nuk duhet të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit, ndonëse zgjedhja e presidentit ka shkaktuar kriza dhe jo stabilitet të Qeverisë.

Krasniqi: Nuk duhet ndërruar mënyra e zgjedhjes së presidentit

“Edhe pse zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit do ta rriste stabilitetin e Qeverisë, mirëpo nga praktika në vende që janë në konsolidim të demokracisë siç është Kosova rrezikon të shkohet dhe ka tendenca për qëllime autoritariste. Kështu që ne rekomandojmë që në këtë fazë të cilën gjendet Kosova, mënyra e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të mos ndryshoj dhe të mbetet mënyra ekzistuese nga Parlamenti” – tha Krasniqi.

Sipas tij, draftligji parasheh që Kryetari i Kuvendit të shpallë zgjedhjet presidenciale gjashtë muaj para përfundimit të mandatit aktual të presidentit, që sipas kalendarit i bije që zgjedhjet të shpallen më 7 tetor të këtij viti që është shumë kohë e shkurtër dhe gara do të ishte e pabarabartë për kandidatët.

Mirëpo, në anketën e zhvilluar nga data 26 qershor deri më 6 korrik, ku janë anketuar 1000 qytetarë, ka dal që qytetarët duan ta zgjedhin me votë të drejtpërdrejtë presidentin e vendit. Ndërsa, ish kryeministri Hashim Thaçi ka dal njeriu më i preferuar për president, i ndjekur nga Albin Kurti e Ramush Haradinaj.

Krasniqi: Thaçi kandidat i preferuar i qytetarëve për president

“Qytetarët e anketuar janë shprehur në pyetjen se cili është sistemi i preferuar për zgjedhjen e presidentit, ka një shumë të konsiderueshme në 89.7 % që janë shprehur në favor të mënyrës së drejtpërdrejtë të zgjedhjes së presidentit, kurse 10.3 % janë deklaruar se preferojnë mënyrën ekzistuese…Pyetja e tretë ka qenë pyetje e hapur për qytetarët për të parë se kënd ata preferojnë si kandidat për president të ardhshëm…Nga votat që janë marrë prej të anketuarve, del që Hashim Thaçi me 29.6 % më i preferuar nga qytetarët, 17.1 % janë për Albin Kurtin dhe 10.6 % për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj”, tha Krasniqi.

Megjithatë, Krasniqi thekson se nuk është i saktë vlerësimi i partive opozitare kur thonë se nëse ndërrohet mënyra e zgjedhjes së presidentit, kalohet në sistem presidencial.

Krasniqi: Ndërrimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit s’e ndryshon sistemin qeverisës

“Deklarimet e fundit kanë qenë nga partitë opozitare se nëse ndryshohet sistemi i zgjedhjes së presidentit, atëherë do të ndryshohej edhe sistemi qeverisës parlamentar për të kaluar në sistem presidencial apo gjysmë presidencial. Konstatime të tilla nuk qëndrojnë për faktin edhe të praktikave të shumta të vendeve tjera. Por ajo çfarë duhet pasur kujdes dhe ne tërheqim vëmendjen është që mos të rritën kompetencat e presidentit dhe sidomos mos të shtohen kompetenca ekzekutive siç është pretenduar nga Thaçi si pretendent për ta pasuar Jahjagën në atë postë. Shtimi i kompetencave për presidentin do të shkaktonte konflikt mes postit të kryeministrit dhe presidentit”, ka thënë ai. /KOSOVAPRESS/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia