close
Rajoni

PRISHTINË:  TAKIM I PASUKSESSHËM – TEK PRESIDENTJA

no thumb

 

Edhe në Prishtinë vazhdojnë përpjekjet për kapërcimin e ngërçit politik. Një takim i presidentes Atifete Jahjaga për të “zbutur” opozitën e për të kërkuar një takim të përbashkët në mes saj dhe pozitës, duket se ka rezultuar pa sukses.

Agjencia e lajmeve Kosova press njofton se të tre liderët opozitarë, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinja nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovë, deklaruar se mbeten të prerë në qëndrimet e tyre, se pa tërheqjen e marrëveshjeve me Serbinë dhe atë të përcaktimit të vijës kufitare  me Malin e Zi, nuk do të ulen në një tryezë  me qeverinë e kryeministrit Isa Mustafa.

Kreu i Vetëvendosjes  tha se  një qëndrim të këtillë ia kishin kumtuar edhe Presidentes Jahjaga:

“Edhe njëherë i bëmë të qartë kërkesat tona që janë që marrëveshjet me Serbinë të arritura në Bruksel dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi janë marrëveshje të cilat domosdoshmërish duhet të hidhen poshtë, dhe janë marrëveshje të cilat nuk do të gjejnë zbatim në Republikën e Kosovës, sepse këto dy marrëveshje e rrënojnë dhe falimentoj edhe Republikën edhe territorin e Republikës”,  – tha Ymeri.

Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tha se do të ishte gabim i madh i Qeverisë përdorimi i policisë dhe prokurorisë për të disiplinuar opozitën:

Ajo që është me rëndësi është gabim i madh me u insistuar me u thirr seanca e parlamentit, derisa nuk është marrë vendim për anulimin e marrëveshjeve. Njëkohësisht është gabim i madh i Qeverisë përdorimi i Policisë dhe Prokurorisë me disiplinu opozitën. Është e pakuptim me ndërmarrë një represion policor prokurorial ndaj deputetëve të zgjedhur e në të njëjtën kohë me u insistuar me iu thirr seancë”, – tha Haradinaj.

Sipas kryetarit të Nismës për Kosovën, qeveria Mustafa nuk është e vetëdijshme  se çfarë dëmi i ka shkaktuar Kosovës me marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Koalicioni qeverisës mundohet ta sheh çdo gjë normale, pasi që ky koalicion çdo gjë e sheh tek numrat, dhe ata mendojnë që nuk ka krizë, për ta ka krizë vetëm nëse nuk ka numra. S’e kuptojnë gjendjen në vend. Nuk e dinë se çfarë marrëveshje të dëmshme kanë bërë për vendin… Do të shohim rolin e akteve se sa vërtet janë të interesuar për të kuptuar seriozitetin në të cilën është vendi ynë sot, dhe për të marrë hapa për zgjidhjen e krizës”, – tha Limaj.

Ndërkaq, në një reagim të saj, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, ka mbështetur përpjekjet e Presidentes Atifete Jahjaga për të zgjidhur ngërçin në Parlament. Në kumtesë thuhet se përkrahen fuqimisht përpjekjet e Presidentes Jahjaga për të kultivuar dialogun politik mes partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Kuvendi është institucioni më i rëndësishëm i Kosovës dhe funksioni i tij është jetik për demokracinë, përparimin, dhe sigurinë e Kosovës. Vetëm një Kuvend që funksionon mund të debatojë dhe miratojë masat që nevojiten për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Kosovës dhe për të siguruar që Kosova vazhdon rrugëtimin e saj drejt integrimit Euro-Atlantik. U bëjmë thirrje gjitha partive që të heqin dorë nga çfarëdo kërcënimi me dhunë që është edhe i paligjshëm edhe i papërputhshëm me një shtet modern demokratik’- thuhet në reagimin e ambasadës së Shteteve të Bashkuara lidhur me takimin e sotëm të pasuksesshëm  të presidents Jahjaga me liderët e forcave opozitare parlamentare. /Kopsovaprees/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia