close
Top LajmeVendi

PROFIL: ÇFARË PRITET NGA PRESIDENTI I RI I MAQEDONISË

Screenshot_5

Pendarovski – i pesti president i RMV-së


Nga të dielën, Stevo Pendarovski është në Vilën Vodno. Fakti se në dy mandate ka shërbyer si këshilltar në Presidencë, për njohësit e rrethanave, shefit të ri të shtetit duhet t’i shërbejë si një përvojë më shumë që, për çështje të ndjeshme, të mos i përsëris gabimet e ish-vartësve të tij.

Pesëdhjetegjashtë vjeçari Stevo Pendarovski nga kjo e dielë është President i Republikës së Maqedonisë së Veriut. I pesti me radhë që nga shkëputja e vendit nga ish-federata jugosllave. I shkolluar në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi, Pendarovski llogaritet si një shkupjan që ka ditur të mirakomodohet në strukturat e shtetit edhe kur janë bërë ndërrime të pushtetit. Dhe kjo falë dellit të tij për të mos u pozicionuar në raport me zhvillime tepër të rëndësishme, protagonist i së cilave nuk ka qenë, por vëzhgues gjakftohtë – po se po!

Studentët të cilëve u ka ligjëruar në Universitetin ‘Kolegji amerikan’ në Shkup veçojnë afërsinë dhe çiltërinë e Shefit të ri të shtetit; ata që kanë bashkëpunuar në kohën kur kishte post në Ministrinë e Brendshme, në fund të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar thonë se ‘kurrë nuk ka dalur përtej detyrave të punës’, ndërkohë që për rolin e tij prej këshilltari, në dy mandate, në Presidencë, nuk është se ai është reduktuar në të njohurën se ‘ tek këshilltari emri dihet, por puna jo’: Si njohës i mirë i çështjeve të sigurisë, kombëtare e ndërkombëtare, por edhe i gjeopolitikës, thonë burimet, ia ka dalur të imponohet me analiza të ftohta, të arsyetuara edhe nga dhëmbi i kohës.

Zoti Pendarovski po e merr timonin e shtetit, me ato pak ingerenca që ka, me një kapital çfarë nuk e patën pararendësit e tij: Katër parti politike shqiptare, me në krye BDI-në, i dhanë mbështetje që në fillim të fushatës dhe, fakti se votat shqiptare e nxorën atë fitues, bën që prej tij të mos priten veprime çfarë janë parë në të kaluarën nga Presidentë maqedonas e që tek shqiptarët gjithmonë kanë zgjuar atë ndjenjën e hidhur të sjelljes prej njerku. Fakti se Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i dha të premten Certifikatën e Presidentit edhe në gjuhën shqipe, për shumëkë merret si një ogur i mirë se Presidenti i ri i vendit përveç se me fjalë, edhe me vepra, do të çojë përpara atë që quhet flamur i barazisë. As më shumë e as më pak! /Seladin Xhezairi/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia