close
Vendi

Pse Tito Petkovski nuk dëshiron të ndryshohet kushtetuta e RMV-së?

12591golema

“Politikanët që propozojnë një hapje të re të Kushtetutës dhe heqjen e formulimit “gjuha e folur nga 20% e popullsisë” ndoshta nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e tmerrshme që mund të shkaktojë një veprim i tillë”, paralajmëron ish-kryetari i Kuvendit dhe veterani i politikës, Tito Petkovski.

“Formulimi aktual prej 20% është praktikisht rezultat i ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2001, dhe nëse doni të jeni më të saktë, kjo ishte arsyeja e konfliktit të vitit 2001. Shqiptarët nuk donin të ishin pakicë në Maqedoni, por popull shtetformues. Prandaj, pas përfundimit të krizës dhe hapjes së Kushtetutës, u vendos që shqiptarët të jenë një bashkësi etnike që do të gëzojë të drejta shumë më të mëdha se bashkësitë e tjera etnike në vend, gjegjësisht të jenë të barabartë me maqedonasit. Kështu, mund të ndodhë që shqiptarët ta kuptojnë ndryshe hapjen e re të Kushtetutës dhe heqjen e kuotave. Kuptimi i deklaratës së Hristijan Mickoskit mund të konsiderohet me qëllim të mirë vetëm nëse i referohet faktit që shqiptarët të mos kenë të drejta më të mëdha se komunitetet tjera etnike në vend. Por, nëse bëhet fjalë që gjuha shqipe të jetë gjuhë zyrtare në tërë territorin e Maqedonisë, pa marrë parasysh se sa shqiptarë jetojnë në një vendbanim të caktuar, atëherë patjetër do të jetë problem”, tha Petkovski për portalin Plusinfo.

Ai paralajmëron se ndryshimet e reja kushtetuese mund të provokojnë trazira serioze të brendshme.

” Hapja e Kushtetutës është praktikisht një kuti e Pandorës dhe mund të shkaktojë konflikte ndëretnike që tani askush nga ne nuk mund të parashikojë se në cilin drejtim do të lëvizim. Hapja e Kushtetutës dhe heqja e kuotës mund të sjellë destabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. E kam dëgjuar liderin e BDI-së, Ali Ahmetin, kur thotë se Maqedonia tani është një vend tjetër nga ai i vitit 2001. Dhe kjo është e vërtetë. Në Maqedoni tani nuk ka shoqëri të qytetarëve të barabartë, por ka shoqëri të bashkësive të barabarta etnike, të kolektivitetit”, shpjegon Petkovski.

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia