close
Top LajmeVendi

Punonjësit në admistratë dhe gjyqësor kërkojnë rritje të pagave

Screenshot_15

DEJANOSKI: TË ENJTEN DHE TË PREMTEN DO TË PROTESTOHET


Edhe të punësuarit në administratë dhe gjyqësor janë të pakënaqur me pagat e tyre, pas rritjes së pagës minimale. Për të shprehur pakënaqësitë e tyre, të enjten dhe të premten ata do të kenë bojkot dy orësh të punës së tyre. Kryetari i Sindikatës së të punësuarve në administratë, organet gjyqësore dhe shoqatat e qytetarëve, Trpe Dejanoski tha se,  kërkesat e tyre janë pagesa e pagës minimale dhe rritje lineare e pagave të të gjithë të punësuarve për 2,806 denarë.  Ai tha se, do të protestohet në të gjitha institucionet ku kjo sindikatë ka organizata sindikale siç janë ministritë, agjencitë, fondet, drejtoritë dhe gjykatat.

TRPE DEJANOSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË AOGJSH

“Përsëri, të punësuarit në administratë dhe gjyqësor mbesin të punësuarit e vetëm në shtet me pagë nën pagën minimale. Gjendja e këtillë vetëm se ka kontribuar që pakënaqësia te punëtorët të rritet edhe më shumë dhe të rriten kërkesat, ndërprerja e procesit të punës që parashihet më 7 dhe 8 prill të vazhdojë në ditët dhe javët në vijim. Kush do ta sanksionojë shtetin për mosrespektim të ligjeve që i sjell vetë? Ku është këtu drejtësia dhe a do të ndërmerr dikush përgjegjësi për këtë situatë.”

Dejanoski shtoi se, deri më tani nga Qeveria nuk kanë marrë ftesë për negociata në lidhje me këtë çështje, ndërsa presioni i anëtarësisë siç theksoi, është i madhe dhe kërkohet ndërprerja e punës të vazhdojë.

TRPE DEJANOSKI, KRYETAR I SINDIKATËS SË AOGJSH  

“Shpresuam se Qeveria dhe kompetentët do të kenë të paktën pak sens dhe do të bëjnë përpjekje që këtë periudhë të bisedojmë dhe të gjejmë mënyra për zgjidhje të kërkesave tona, por duket se Qeveria nuk është e interesuar për negociata me ne, edhe pse e premtoi atë. Ajo për çka kemi paralajmëruar herën e kaluar u realizua dhe pothuajse në të gjitha institucionet në administratë dhe gjyqësor të punësuarve nuk u paguhet paga minimale”.

Nga Sindikata thonë se protesta do të vazhdojë edhe ditëve në vijim duke mos përjashtuar mundësinë edhe për grevë të përgjithshme, nëse kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër nga institucionet kompetente. /KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia