Greqia po kërkon tregje alternative për shkak të ndikimit të luftës në Ukrainë
E përgatitur për ndikimin afatshkurtër dhe afatgjatë të luftës në Ukrainë, qeveria greke po ndërmerr veprime për të mbrojtur vendin nga mungesat e mundshme, jo vetëm në energji, por edhe në ushqim.
Tani, Greqia do të kërkojë tregje alternative për furnizimin me produkte ushqimore në vende si Bullgaria, Rumania dhe vende të tjera europiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, por edhe, nëse kërkohet, Argjentina. Për ushqimin e kafshëve do të shikohet në Indi, Malajzi dhe kontinentin e Amerikës së Jugut.
Vendimi i qeverisë për të ndërmarrë veprime kundër mungesës së mundshme të produkteve ushqimore rrjedh nga një sërë shqetësimesh, përfshirë faktin se 70% e nevojave të vendit për grurë janë plotësuar nga Ukraina dhe Rusia.
Nuk dihet se kur dhe nëse do të rifillojnë këto importe. Sakaq, rezervat e miellit në Greqi janë të mjaftueshme për rreth dy muaj, ndërsa importet e misrit në Greqi deri më tani arrijnë në 500 mijë ton.
Sa i përket rritjes së prodhimit vendas, një hap i rëndësishëm është subvencionimi i misrit për pesë vjet, në konsultim me Komisionin Europian.
Klan News