close
Top LajmeVendi

QEVERIA NDIHMON KATËR QYTETET MË TË NDOTURA

Screenshot_5

Koftorët zëvendësohen me inverterë


Pothuajse një muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes banorët e katër qyteteve më të ndotura në vend do të kenë “privilegjin” t’i zëvëndësojnë koftorët me dru me aparate të reja inverter në vlerë deri në 60 mijë denarë, edhe atë plotësisht falas, njoftoi drejtori i Elektranave të Maqedonisë së Veriut, Vasko Kovaçevski në takimin e punës me ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Për këtë masë Elektranat e Maqedonisë së Veriut do të ndajnë 3.4 milionë euro.

Koftorët e vjetër me dru të cilët njëkohësisht janë edhe ndotësit më të mëdhenj të ajrit gjatë sezonit të ngrohjes do t’i takojnë të kaluarës, në qoftë se merret vendim përfundimtar për subvencionimin e plotë të aparateve inverter në vlerë deri 60 mijë denarë, për çka nga Buxheti i Elektranave të Maqedonisë së Veriut do të ndahen 3.4 milionë euro, njoftoi drejtori Vasko Kovaçevski në takimit e punës gjatë ditës së sotme me ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Diku 3 deri në 4 milionë euro mund të ndajmë për këtë projekt ekologjik, i cili d.m.th zvogëlim i ndotjes dhe përmirësim i ajrit, fokusi do të jetë në katër qytetet – Manastir, Kërçovë, Shkup dhe Tetovë, mëtej do ta shohim si do të jetë interesi dhe efekti nga kjo masë që në vitin e ardhshëm të planifikojmë mjete shtesë edhe për qytetet tjera.”- tha Vasko Kovaçevski, drejtor i Elektranave të RMV-së.

Krahas subvencioneve për blerjen e koftorëve me peleta, zëvëndësimin e dritareve të vjetra të drurit me PVC, si dhe kolektorëve diellor, ministri Kreshnik Bekteshi theksoi se me ribalancin e buxhetit janë ndarë edhe mjete shtesë për instalimin e pajisjeve të gazit në automjete.

“Kryesisht programi i plotë për efikasitet energjetik është rreth 80 milionë euro, ndërsa si informacion për qytetarët, morëm mjete shtesë për instalimin e pajisjeve të gazit në automjete, ndërsa nga muaji janar do të shohim nëse do ta zbatojmë masën për uljen e TVSH-së gjatë importit të automjeteve të reja.” –deklaroi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Autoritetet vlerësojnë se këto projekte do të kontribuojnë për ambient më të pastër jetësor, sidomos në komunat që vlejnë si më të ndoturat. Ekologët nga ana tjetër janë skeptikë sepse mendojnë se masat janë të vonuara dhe promovohen një muaj para fillimit të sezonit të ngrohjes. /Verica Dimitrijevska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia