close
dsc_6533

Angjushev: Ndihma nga shteti për kompanitë vendase dhe të huaja jep rezultate


Rritja ekonomike në vend, në dy vitet e fundit ka arritur 3,6%, ndërsa papunësia ka rënë në shkallën më të ulët deri tash – 17,5%, pohojnë dy ministrat e qeverisë, përgjegjës për politikat ekonomike, zv/kryeministri Koço Angjushev dhe ministri Kreshnik Bekteshi. Në mes tjerash, këto janë përfitimet nga Ligji për mbështetje financiare të kompanive, me të cilin qeveria i ndihmon në mënyrë të barabartë edhe investimet vendase edhe ato të huaja, gjë që nuk ndodhte më parë. Lideri i opozitës, Hristijan Mickoski edhe më tej shpreh bindjen se qeveria udhëheq politikë të gabuar, ndërsa si fakt e përmend heqjen e taksës progresive, vetëm dhjetë muaj pasi hyri në fuqi.

Rreth 170 kompani vendase kanë nënshkruar marrëveshje me qeverinë për shfrytëzimin e përfitimeve nga Ligji për ndihmë financiare të investimeve, ndërsa efektet e 55 milionë eurove mjete të investuara nga buxheti, janë të dukshme në shifra, pohon zv/kryeministri për çështnje ekonomike, Koço Angjushev.

“Rritje prej 3,6% në gjysmën e parë të vitit, prej të cilave 4,1 në kuartalin e parë, 3,1 në kuartalin e dytë, edhe në kuartalin e tretë pres shifra të mira. Mesatarisht nga muaji janar deri në muajin shtator të vitit 2019 ka rritje prej 5,6% në prodhimtarinë industriale, vetëm gjatë muajve të fundit shihet rritje e përshpejtuar.”-tha Koço Angjushev, Zv/kryeministër për Çështje Ekonomike.

Paralelisht me rritjen ekonomike, sipas Qeverisë, ulet edhe papunësia në Maqedoni, e cila për momentin është në shkallën më të ulët deri tani, 17,5%.

“Vetëm në dy vitet e fundit kemi hapur mbi 54 mijë vende të reja të punës, kryesisht në sektorin privat, ndërsa në sektorin publik kjo shifër as nuk kalon 3000 vende pune. Me këtë sigurisht që u ul papunësia në vendin tonë.”- shprehet Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.

Angjushev dhe Bekteshi insistojnë se Ligji për mbështetje financiare të kompanive kontribuon për zhvillim të barabartë në tërë shtetin, sepse ndihmën e marrin të gjitha kompanitë që i plotësojnë kriteret, në mes tjerash të mos kenë ulje të të ardhurave gjatë vitit të fundit, as ulje të numrit të të punësuarve mbi 5%, dhe se krijon besim për investime të reja, dhe me këtë edhe hapjen e vendeve të punës të paguara më mirë, që të ndalet shpërngulja e gjeneratave të reja drejt Perëndimit. Edhe pse Angjushev mbeti pa koment për tërheqjen e Ligjit për taksën progresive, vetëm dhjetë muaj pas hyrjes në fuqi, lideri i opozitës nuk përmbahet nga kritikat.

“Më habit fakti që me çfarë guximi dalin para gazetarëve dhe thonë se politika jonë ekonomike ka qenë e gabuar këto tre vite, kush do të ballafaqohet me pasojat. Kanë mundësi, unë e shfrytëzoj rastin t’i apeloj Zoran Zaevit dhe Ministrisë së Financave menjëherë t’i kthejnë mbrapsht paratë në ekonomi, që janë paguar si haraç. Të vetëdijsëohen dhe këto disa muaj që u kanë mbetur të udhëheqin politikë racionale, të mos bëjnë politika eksperimentale.” -vlerëson Hristijan Mickoski, lider i VMRO DPMNE-së.

Me zgjedhjet e paralajmëruara parlamentare, në prill të vitit të vjen, Mickoski në fjalimin e tij e paralajmëroi qeverinë t’i jep fund populizmit afatshkurtër, siç tha, madje përmendi edhe “përgjegjësi para ligjit dhe para qytetarëve” për udhëheqjen e politikave të gabuara. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia