MASKA E DETYRUESHME EDHE NË AMBIENTE TË HAPURA
Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka vendosur disa masa sa i përket përkujdesjes dhe mbrojtjes nga Kovid-19. Vendimi i parë që hyn në fuqi është që maskat bëhen të obligueshme në ambiente të hapura, transport publik dhe institucione publike. Si masë e dytë është vendosur për kufizimin e grumbullimeve pas orës 22, përkatësisht në vende publike dhe parqe ndalohet grumbullimi i më shumë se 4 personave. Masa e tretë është gjithashtu kufizimi i grumbullimeve në ahengje familjare, respektivisht nuk lejohet gostia e më shumë se 4 personave të tjerë në një adresë tjetër nga ajo e vendbanimit të personit.
Rishikimi i vendimit për kthimin e PCR testit negativ për shtetasit e Kosovës, Bosnjës, Malit të Zi dhe Serbisë nuk është diskutuar, por është apeluar që udhëtimet jashtë vendit të behën vetëm nëse janë të domosdoshme. Qeveria pritet të njoftojë për mënyrën e hyrjes së masave në fuqi.
Në këtë seancë është shqyrtuar dhe miratuar Informacioni për arritjen e Marrëveshjes për obligime të marra mes Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Aleancës Globale të vaksinave, për furnizime me vaksina kundër COVID-19, përmes mekanizmit COVAX për sigurimin global dhe qasje të barabartë për vaksinat e sigurta dhe efikase kundër COVID-19, të konfirmuar dhe rregulluar nga OBSH-ja dhe është pranuar teksti I marrëveshjes obliguese për furnizim me vaksina.
Qeveria, sic thuhet në komunikatë ka kërkuar nga Byroja për Furnizime Publike të propozojë mënyrën më të përshtatshëm për realizimin e furnizimit dhe ka autorizuar Ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe ta nënshkruajë Marrëveshjen me Aleancën Globale për vaksina, krejt kjo në koordinim me Ministrinë e Financave dhe Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë, për t`I siguruar mjetet e nevojshme financiare që të paguhet avansi dhe të sigurohet garanca financiare konform Marrëveshjes së nënshkruar. /KlanMacedonia