close
Top LajmeVendi

QYTETARËT TË MOS U PËRGJIGJEN THIRRJEVE TË PANJOHURA

Screenshot_6

Në mëngjes janë regjistruar thirrje masovike të pa identifikuara nga numra të huaja ndaj shumë përdoruesve të rrjetit vendor. Qytetarët nëpër rrjetet sociale shpërndajnë këto thirrje duke kërkuar përgjigje nga kompetentët dhe duke shfaqur shqetësime.

Telekomi i Maqedonisë ka njoftuar opinionin se gjatë ditës së sotme janë regjistruar thirrje nga destinacione të panjohura drejt shfrytëzuesve të tyre, siç thuhet, me qëllim të gjenerimit të trafikut të panevojshëm.

“Që t`i mbrojmë shfrytëzuesit nga harxhimet e panevojshme, kompania menjëherë ka ndërmarrë masa të sigurisë, ka bllokuar numrat e panjohura dhe ka pamundësuar thirrjet ndaj këtyre destinacioneve. Bëjmë thirrje që shfrytëzuesit të jenë të kujdesshëm dhe të mos u përgjigjen thirrjeve, me qëllim që t`u shmangen keqpërdorimeve dhe harxhimeve plotësuese.” –deklaruan nga Telekom.

Operatorët e telekomunikimeve do t`i bllokojnë numrat e paidentifikuara dhe gjatë ditës thirrjet e këtilla do të ndërpriten – kanë njoftuar zyrtarë të Agjencisë për Komunikime Elektronike. Ndërkohë, siç thuhet, qytertarët nuk duhet t`u përgjigjen thirrjeve të këtilla që janë regjistruar në dy operatorët mobil Telekomi i Maqedonisë dhe A1.

Thirrje për parandalimin e aktiviteteve të këtilla në mëngjes, përmes Facebookut bëri ish-Deputetja Frosian Remenski duke theksuar se duhet përgjigje nga institucionet kompetente që të mos ketë spekulime. “Që të shmangen dëmet dhe spekulimet, ekzistojnë institucione kompetente që duhet ta parandalojnë këtë. Nuk dua të besoj se pas këtij “masoviteti” qëndron ndonjë operacion i targetuar i kundërzbulimit” – ka publikuar Remenski në Facebook.

Ky mashtrim ndërkombëtar në botë është i njohur si “Vangiri” kurse prejardhjen e ka nga Japonia. Mashtrimet e këtilla, gjatë viteve të kaluara janë regjistruar në shumë vende të botës. Javëve të kaluara janë shënuar thirrje të këtilla të numrave të telefonave me prefikse nga Estonia, Lituania dhe Nigeria. /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia