close
Rajoni

RAMA: BURG PËR NDËRTUESIT QË KANË ABUZUAR

Screenshot_6

Në Shqipëri, prokuroritë e Tiranës dhe Durrësit njoftuan se kanë nisur prej disa ditësh hetimet lidhur me ndërtesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit të fortë që goditi Shqipërinë , të martën e shkuar. Kryeqyteti dhe zona e Durrësit janë më të prekurat nga tërmeti. Prokuroria e Durrësit nga ana e saj, thotë se “dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave pergjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyerjen e këtyre ndërtimeve”. Kjo prokurori ka regjistruar çështjen për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”.

Të dhëna ende paraprake flasin për të paktën afro 900 pallatet dhe mbi 5100 banesat e dëmtuara nga tërmeti. Në Tiranë rezultojnë për momentin 640 pallate dhe 4 mijë banesa të dëmtuara, nga të cilat 371 pallate dhe afro 2500 banesa të dëmtuara rëndë. Në Durrës, numri rezulton më i ulët, por vetëm për shkak se këtu procesi i verifikimit ka nisur me vonesë, ndërsa ditët e para vëmendja ishte përqëndruar te njerëzit e mbetur nën rrënoja. Në këtë qytet për momentin rezultojnë 185 pallate dhe afro 730 banesa të dëmtuara, nga të cilat 38 pallate dhe 620 banesa të prekura rëndë.

Po sot, gjatë ditës presidenti Ilir Meta mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. “Diskutuam për një bashkëveprim dhe koordinim më të ngushtë midis të gjitha institucioneve për përballimin e emergjencës deri në rivendosjen e normalitetit të plotë. E mbështetëm prokurorinë të çojë përpara hetimet dhe të vendosë para përgjegjësisë penale të gjithë ata që do të rezultojnë përgjegjës. Të sigurojmë burimet e brendshme dhe mbështetjen e duhur ndërkombëtare për tejkalimin e pasojave të rënda të këtij tërmeti të tmerrshëm”, u shpreh presidenti Meta, përmes një postimi në Facebook, në përfundim të takimit. /Klan Macedonia/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia