close
RajoniTop Lajme

Rama nga Ohri: Lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” domosdoshmëri më të madhe

edi-ramaa

“Zgjidhim problemet e së shkuarës duke u afruar”

Gjatë fjalimit të tij nga Ohri i Maqedonisë së Veriut, Kryeministri Edi Rama e konsideron “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri akoma më të madhe pas luftës së Rusisë në Ukrainë.

Kreu i qeverisë shqiptare foli hapur përpara pjesëmarrësve në këtë samit, sikurse u shpreh dhe vetë, që “në një Ballkan të Hapur duhet folur hapur”.

“Ndërkohë që Presidenti i Serbisë hoqi fjalimin e përgatitur unë po shkruaja disa shënime jashtë fjalimit të përgatitur sepse besoj që ky është një rast për të folur për Ballkanin e Hapur si në Ballkanin e Hapur. Nuk mund të vijmë në një takim të Ballkanit të Hapur dhe të flasim siç jemi mësuar kur shkojmë në Bruksel. Ne duhet të flasim shumë hapur”.

Kryeministri shqiptar u shpreh se lufta në Ukrainë tashmë e bën domosdoshmëri Ballkanin e Hapur.

“Lufta në Ukrainë e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe seç ishte përpara se kjo luftë të fillonte. Mbrëmë kam takuar ambasadorin Chris Hill i cili ka shërbyer në Tiranë në kohë dramatike të transformimit nga diktatura në demokraci dhe sot shërben në Beograd. Unë besoj se ambasadori Chris Hill me praninë e tij këtu është një nga dëshmitarët më të besueshëm të domosdoshmërisë së Ballkanit të Hapur. Ai është këtu për ta mbështetur Ballkanin e Hapur dhe kjo për ne, për mua personalisht, është shumë inkurajuese. Jam shumë i lumtur që sot këtu me ne janë edhe Kryeministri i Malit të Zi Dritani, si dhe Zorani nga Bosnja, ashtu siç sot këtu janë edhe dy miq të rëndësishëm, komisioneri Varhelyi dhe miku ynë Gabriel Escobar i cili është i pranishëm përmes ekranit. Por përtej të gjithë miqve dhe partnerëve, Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tanë, është i rëndësishëm për hapësirën e përbashkët në të cilën lindin fëmijët tanë. Ne e dimë shumë mirë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për ta ditur marrëdhënien speciale që Serbia ka me Rusinë? Nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për t’u informuar që mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur, por midis të qëndruarit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve drejt të ardhmes ne kemi zgjedhur këtë të dytën. Sot jemi këtu sepse duam të vazhdojmë të shkojmë drejt të ardhmes pa i mbyllur sytë ndaj problemeve ende të pazgjidhura. Problemet e pazgjidhura mund të zgjidhen vetëm nëse afrohemi.

Kontratat e grurit kur filloi lufta në Ukrainë mes importuesve të grurit në Shqipëri nga Serbia gjë e që kanë bërë historikisht, dhe që nuk u bllokuan siç fare mirë ishin bllokuar nëse ne nuk do ishim Ballkani i Hapur. Mos vallë është pak gjë kjo? Çfarë do ndodhte nëse ne nuk do ta merrnim dot gjithë atë sasi gruri të kontraktuar dhe me çfarë do t’i ushqenim njerëzit të cilëve do t’u mungonte buka? Vazhdojmë me energjinë. Ne sot jemi në një teh thike që të gjithë dhe nuk jemi vetëm ne në rajon. Por ne jemi shumë më vulnerabël se sa shumë të tjerë. Ndërkohë që në horizont është një dimër ku problemi nuk do jetë çmimi i energjisë që do vazhdojë të rritet, problemi do jetë që s’do ketë fare energji për ta blerë. Kemi ne luksin të rrimë me kurriz ndaj njëri-tjetirt? Unë nuk besoj dhe përsëri njësoj si me grurin do provohet që Ballkani i Hapur nuk është as i imi, as i Aleksandër Vuçiçit, as i Zoran Zaev dje dhe Kovaçevskit sot. Ballkani i Hapur është i njerëzve”, tha Kryeministri Edi Rama. /tvklan.al

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia