close
Rajoni

Rama: Rusia zero investime në Shqipëri, ato të Kinës të papërfillshme. Turqia është partner strategjik

edi ramma

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Berlin, kryeministri Edi Rama tha se palët e treta kanë ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ai përmendi Rusinë dhe Kinën dhe tha se kjo bën që aktivizimi i BE-së të jetë më intensiv.

Megjithatë, Rama tha se Shqipëria nuk ka asnjë marrëdhënie të posaçme me Rusinë dhe Kinën. Niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, tha Rama, ndërsa shtoi se ato të Kinës janë minimale dhe të papërfillshme. Sa i përket Turqisë, kryeministri tha se është partner strategjik dhe personalisht e sheh këtë vend si një valvul të rëndësishme sigurie për të gjithë Europën.

“Sa i përket aktorëve apo palëve të treta me ndikim në Ballkanin Perëndimor unë do të thosha që nuk janë njësoj dhe nuk duhet të kemi shqetësime nga ndikimi i vendeve të treta në të njëjtën mënyrë. Sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, për më tepër në kushtet e sotme, çka e bën shumë më të nevojshme aktivizimin më intensiv të BE dhe përpjekjen nga ana e Be për t’i afruar shumë më pranë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pa përjashtim, ndërkohë që Kina është një vend që ka synimin e vet të deklaruar në të gjithë Europën, më saktë ish-Europën Lindore. Ka edhe një format special të Kinës të quajtur 17+1 me të gjitha vendet ish-komunistet që është një projekt investimesh. Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme as me njërën dhe as me tjetrën dhe niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, ai i Kinës minimal i papërfillshëm me të tjerat. Sa i përket Turqisë, Turqia nuk është aktor i tretë, është partner strategjik i Shqipërisë dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvul e rëndësishme sigurie për gjithë Europën. Me vendet e Gjirit kemi marrëdhënie miqësore prej shumë e shumë vitesh. I kultivojmë ato. Nuk shohim asgjë tjetër përveçse miqve dhe sigurisht janë të mirëpritur në Shqipëri për të bërë investimet e tyre. Prezenca e tyre në vendin tonë dhe në përgjithësi është shumë më e ulët se sa ndonjëherë stërzmadhohet nëpër artikuj dhe vëzhgime sensacionale të medias”, u shpreh Rama./tvklan.al

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia