close
Rajoni

REFERENDUMI SERB, KRERËT E KOSOVËS NUK ZMBRAPSEN EDHE PAS TAKIMIT ME AMBASADORËT E QUINT-IT

auto_168961816_740681493268817_7586674811285254898_n1642166648

Krerët e shtetit të Kosovës nuk janë zmbrapsur nga qëndrimi për të mos lejuar referendumin serb që të mbahet edhe në Kosovë.

Pas takimit me ambasadorët e vendeve të QUINT-it, të cilët i bënë trysni Kosovës që të lejojë një gjë të tillë, presidentja, kryetari i parlamentit dhe kryeministri kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku u shprehën qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë përbën shkelje kushtetuese dhe të ligjeve të Kosovës.

“Përveç se u ritheksua se qytetarët serb të Kosovës me dyshtetësi do ta kenë të drejtën të votojnë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare, pra nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse, institucionet bënë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Institucionet i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që në raport me Kosovën të aplikohen standarde të njëjta sikurse me çdo shtet tjetër, meqë pavarësia e Kosovës jo vetëm që është njohur nga shumica e vendeve demokratike anekënd botës, por edhe është vulosur nga GJND-ja. Për më tepër, institucionet e Kosovës kanë theksuar se çështja nuk është roli i OSBE-së, por roli i Serbisë dhe strukturave të saj paralele e ilegale në Kosovë.

“Sepse, para se OSBE-ja të bënte mbledhjen e votave, do të mbahej një proces tërësisht ilegal i hapjes së qendrave të votimit e kutive të votimit në territorin e Republikës së Kosovës për një referendum të një shteti tjetër, pra Serbisë, e ky proces do të organizohej nga strukturat ilegale të Serbisë në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, Serbia dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Kryeministri Kurti ka njoftuar edhe për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të shtunën lidhur me këtë çështje.

Osmani, Konjufca e Kurti i kanë bërë thirrje të gjitha shteteve demokratike që ta mbështesin Kosovën në përpjekjet e saj për t`i ndalur “veprimet e vazhdueshme të Serbisë që minojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe shtetësinë e Kosovës”.

Mosmbajtja e referendumit serb në territorin e Kosovës e kanë përkrahur edhe partitë opozitare, PDK e LDK. Vendet anëtare të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë Kurti që t’i lejojë serbët në Kosovë të votojnë në referendumin kombëtar të Serbisë.

të njëjtën kërkesë të enjten e ka bërë edhe shefi i BE-së Josep Borreli, ndërsa presidenti serb Vuçiç ka paralajmëruar pasoja të rënda në rast se nuk lejohet të mbahet referendumi edhe në Kosovë.

Tv Klan

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia