close
Rajoni

REL: AGJENDA RUSE NË BALLKAN – NË SHËNJESTËR EDHE RMV-ja

Agjenda euro-aziatike e Kremlinit do të zbatohet me pesë ndërhyrje ruse në Ballkan, për të cilat, para Nënkomitetit për kërcënime të reja në Senatin amerikan, dëshmoi edhe analisti politik Janush Bugajski. Ai thotë se Moska zyrtare nuk mund t`ia falë vetes dështimet e shumta, mes të cilave është edhe anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO.

Siç njofton Radio Evropa e Lirë, duke e parë Ballkanin si krahun më të dobët të Evropës dhe si kufi të brendshëm të NATO-s, Rusia gjatë dy viteve të fundit vazhdimisht përpiqet të manipulojë me konflikte latente, të kërkojë aleat të rinj potencial dhe t`i shfrytëzojë mundësitë ekonomike për të projektuar agjendën e saj euro-aziatike, paralajmërojnë analistët gjeopolitik.

Sipas Janush Bugajskit nga Qendra për analiza Politike Evropiane nga Uashingtoni, që ta realizojë këtë agjendë euro-aziatike, Kremlini zbaton disa ndërhyrje kryesore në rajon. Siç njofton Radioja Evropa e Lirë, një nga caqet gjatë këtyre ndërhyrjeve, përveç Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Serbisë, është edhe Maqedonia e Veriut. Për të ashtuqujaturat ndërhyrje ruse në Ballkan, Bugajski javën e kaluar ka dëshmuar para Nënkomitetit për Kërcënime të Reja në Senatin amerikan. Sipas Bugajskit këto ndërhyrje janë:

PESË NDËRHYRJET E KREMLINIT

1.Promovimi i nacionalizmit lokal me qëllim të minimit të përkrahjes për NATO, BE dhe SHBA;

2.Korruptimi i politikanëve nacionalist dhe biznesmenëve lokal që t`i përkrahin interesat ekonomike ruse;

3.Mbajtja e varshmërisë ekonomike përmes lidhjes së vendeve ballkanike me projekte të gazit të kontrolluar nga “GASPROM”

4.Lansimi i sulmeve propaganduese përmes mediave lokale, internetit dhe rrjeteve sociale;  

5.Formimi i lidhjeve ndërsociale që rrisin ndikimet politike të Moskës;

Sipas ekspertëve, këtu mund të përfshihen edhe dobitë e Kremlinit nga të ashtuquajturat “konflikte të ngrira” dhe “shtete të ngrira”.

“Në B e H nxit entitetin serb që ta mbajë vendin të ndarë dhe ta vë në pikëpyetje ardhmërinë e saj si shtet unik. Autoritetet ruse thonë se popullata serbe po largohet nga Kosova, kurse qëllimi i këtij pohimi është që të minohet pavarësia e Kosovës dhe të rritet epilogu i ndarjes. Konfliktet e pazgjidhshme i mundësojnë Kremlinit të thotë se NATO-ja nuk ka arritur ta stabilizojë rajonin dhe ka ngadalësuar integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE.” –tha Janush Bugajski, analist politik.

Siç thonë analistët, Moska nuk mund t`ia falë vetes disa dështime të rëndësishme, siç janë pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, Marrëveshja e Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe në veçanti anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, si zgjedhje e shumicës së qytetarëve dhe realizimit të politikës strategjike 25 vjeçare të Shkupit zyrtar. /Klan Macedoni/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia