close
Top LajmeVendi

REVIZORËT KËRKOJNË TË KENË TË PARIN E TYRE

Screenshot_7

Enti Shtetëror për revizion në pamundësi për të kryer punën e tij


Zgjidhjet e bllokuara kadrovike i kanë vënë institucionet përpara pamundëisë për të ushtruar punën e tyre. Pothuajse 2 vite Enti Shtetëror për revizion ose “kontrolluesi i parave të popullit” është lënë pa revizor kryesor, të punësuarit të revoltuar – kërkojnë zgjidhjen e procedurës në Kuvend, sepse siç thonë, prishet pavarësia e tyre si institucion por edhe mundësia për punë.

Ueb-faqja në të cilën duhet të prezantohet udhëheqësia e Entit Shtetëror për revizion është pothuajse e zbrazët. Është shkruar vetëm emri i sekretarit të përgjithshëm. Revizor kryesor shtetëror nuk ka qe dy vite, ndërsa para një muaji përfundoi edhe mandate i zëvëndësit. Zgjedhja e udhëheqësisë së re me muaj ka ngecur në Kuvend. Të punësuarit në Entin për revizion sot kërkuan emërimin urgjent të revizorit kryesor dhe zhbllokimin e gjithë procedurës.

“Iniciativa jonë, kërkesa jonë është që të apelojmë me kërkesë konstruktive te kompetentët që të zgjidhet revizor kryesor shtetëror, përkatësisht proceduara të përfundojë. Me moszgjedhjen e revizorit kryesor është prishur pavarësia e këtij institucioni dhe ngec puna e të njëjtit.”- deklaroi Mijalçe Durgutov, Revizor.

Burime partiake nga LSDM akuzojnë se procesi i zgjedhjes dhe emërimit të revizorit kryesor në Entin Shtetëror për revizion është penguar nga opozita. Ata thonë se opozita e keqpërdor shumicën në Komisionin parlamentar dhe kjo është arsyeja për moszgjedhjen e revizorit.

Nga VMRO-DPMNE thonë se problemi me moszgjedhjen e revizorit kryesor është për shkak të moskoordinimit në mes partnerëve të koalicionit  në pushtet, të cilët nuk mund të arrijnë marrëveshje kush do të jetë revizori kryesor.

“Periudhë më të gjatë kohore nuk ka revizor kryesor, nuk ka kush t’i nënshkruajë dokumentet. Këtu e shohim se për revizorin shtetëror po bëhet luftë, kush duhet të jetë kandidat dhe kështu koha kalon, ende nuk ka revizor kryesor, nuk ka kush të analizojë dhe kjo krijon zonë të përshtatshme dhe të sigurtë për ata që bëjnë krim.” –shprehet Naum Stoilkovski, VMRO DPMNE.

Për mungesën e revizorit kryesor shtetëror reaguan edhe nga platforma për luftë kundër korrupsionit.

“Këtu para së gjithash bëhet fjalë për Entin shtetëror për revizion si dhe për Agjencinë për të drejtë të informacioneve me karakter publik. Këto janë dy institucione të rëndësishme të cilat punojnë në mbështetje të transparencës dhe realizimit të të drejtave të qytetarëve. Mungesa e udhëheqësve në këto institucione është në dëm direkt të qytetarëve.” -vlerëson Misha Popoviq, Platforma kundër Korrupsionit.

Përndryshe, zgjedhja e revizorit nuk është lëshimi i vetëm në Kuvend për ekipimin kadrovik të institucioneve. Nuk është zgjedhur as përbërje e re në Agjencinë për media, Këshillin e RTVM-së, Komisioni për mosdiskriminim, nuk ka drejtorë as Drejtoria e të dhënave personale, Agjencia për informacione të karakterit publik, shoqatat për kontroll qytetar të policisë, sistemit gjyqësor dhe të tjera. /Vertica Dimitrijevska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia