close
Top LajmeVendi

RMV-ja E BLLOKUAR NGA VETOJA BULLGARE, PEZULL EDHE SHQIPËRIA

Bashkimi-Europian

PËRFITUESET E METODOLOGJISË SË RE TË ZGJERIMIT MAL I ZI DHE SERBIA.

27 ministrat e çëshjeve europiane të Bashkimit Europian do të mblidhen nesër në Bruksel për të përgatitur samitin e liderëve europianë, që do zhvillohet në 16 dhjetor. Pika e parë e rendit të ditës është zgjerimi. Burimet diplomatike të Bashkimit Europian kanë konfirmuar, se qëllimi i ministrave është të aprovojnë konkluzione për zgjerimin, gjë që nuk u bë e mundur vitin e  shkuar. Ministrat do të kenë mundësinë të diskutojnë lidhur me ecurinë dhe progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit europian. Ata do ndalen gjithashtu te raportet e progresit të Komisionit Europian për secilin vend.

Presidenca sllovene e Bashkimit Europian mundi të organizojë konferencat ndërqeveritare me dy vendet që kanë adoptuar metodologjinë e re të zgjerimit, Malin e Zi dhe Serbinë. Mali i Zi zhvillon sot në mbrëmje konferencë ndërqeveritare me Bashkimin Europian, ndërkohë që konferenca me Serbinë është parashikuar në mëngjesin e 14 dhjetorit, para fillimit të takimit të ministrave të çêshtjeve europiane.

Por fiksimi i një date për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Malin e Zi duket i pamundur gjatë kësaj presidence rrotulluese të BE-së, që mbaron në fund të dhjetorit. Kjo, pasi edhe Qeveria e re e Bullgarisë e  dalë nga zgjedhjet e 14 nëntorit, nuk ndryshon qëndrimin ndaj vetos për Maqedoninë e Veriut. Bullgaria nuk jep asnjë shans për zgjidhjen e shpejtë të çështjeve që janë pezull (sipas saj) lidhur me zbatimin e marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Maqedoninë e Veriut, që lidhen me historinë, identitetin, kulturën dhe gjuhën. Kjo e bën të pamundur aprovimin e kuadrit negociues midis Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian, nga njëra anë dhe Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nga ana tjetër. Pa aprovimin e këtij kuadri për negociatat e anëtarësimit, nuk mund të fiksohet një datë për mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare, që shënon dhe çeljen zyrtare  (formale) të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Bashkimi Europian aplikon rregullin e unanimitetit kur është në fjalë hapja zyrtare e negociatave të anëtarësimit dhe hapat e mëtejshëm që kanë të bëjnë me negociatat e anëtarësimit. Ndaj edhe pse një vend i vetëm, Bullgaria aktualisht bllokon të gjithë vendimarrjen e 26 shteteve anëtare për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me dy vendet.

Por Bullgaria e ka bërë tashmë të ditur në takimet e fundit të ministrave të çështjeve europiane, se duhet ndarë vendimarrja e Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria. Ndërkohë, shumica dërrmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Europian nuk janë në favor të ndarjes së dy vendeve. Presidenca sllovene ka rikujtuar, se ajo ka qenë shumë e përkushtuar ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor përmes organizimit të samitit të Brdos dhe përpjekjeve të shumta lidhur me zgjidhjen e ngërçit të krijuar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Por kjo është një çështje që u takon para së gjithash dy vendeve për ta zgjidhur./Erisa Zykaj – Tv Klan Bruksel/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia