Rrëzohet qeveria e Bullgarisë, mbante peng negociatat me Shqipërinë dhe RMV

Parlamenti i Bullgarisë rrëzoi pasditen e kësaj të mërkure qeverinë e kryeministrit Kiril Petkov. 123 deputetë votuan pro dhe vetëm 116 kundër mocionit të mosbesimit të iniciuar nga opozita që e akuzonte atë për dështim të përballimit të krizës ekonomike. Pak ditë më parë Petkov humbi një prej partive aleate të koalicionit duke sjellë edhe shkarkimin e kreut të parlamentit. Qeveria e Petkov zgjati vetëm 7 muaj pasi vendi mbajti më herët 3 palë zgjedhje të njëpasnjëshme.

Kriza politike në vend mban pezull edhe veton për integrimin në BE të Maqedonisë së Veriut, por edhe të Shqipërisë. Gjatë paradites së të mërkurës pati shpresa për një heqjen e bllokimit pasi lideri i opozitës Bojko Borisov ndryshoi qëndrim. Gjatë një konference për shtyp, ai i bëri thirrje qeverisë së kryeministrit Kirill Petkov të heqë veton ndaj dy vendeve, duke shpjeguar arsyet pse ndryshoi qëndrim.

Por gjatë pasdites sërish palët nuk e gjetën gjuhën e përbashkët në komisionin parlamentar për çështjet e jashtme. Teksa opozita kërkoi që qeveria të shprehej për veton, përfaqësuesit e ministrisë së jashtme thanë se duhej që më parë të vendoste parlamenti duke bërë që mbledhja të dështojë.

Me rrëzimin e qeverisë, presidenti i vendit do të nisë një tur negociatash për gjetjen e zgjidhjes, por nëse nuk do të ketë rezultat vendi do të shkojë sërish në zgjedhje në vjeshtë.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share