close
Top LajmeVendi

Rryma do të shtrejtohet sipas bursave evropiane

transmission-line

Çmimi i energjisë elektrike në bursat evropaine rritet dhe pritet që kjo të pasqyrohet edhe në çmimin në tregun vendas. Komisioni Rregullator pret rritje të prodhimtarisë vendase të rrymës elektrike, si dhe futjen në përdorim të bllok-tarifave që të kontrollohet konsumi i rrymës, në kushte kur një numër i vogël i amvisërive dhe kompanive në vend sillen në mënyrë jokorrekte. Vendosja e sistemeve fotovoltaike në çatitë e kompanive që e kanë këtë mundësi për disa muaj pritet që të ndihmojë për relaksimin e tensioneve në tregun e rrymës në Maqedoninë e Veriut, raporton KlanMacedonia.

Me futjen në përdorim të 3 ose 4 bllok-tarifave pritet të kontrollohet harxhimi i rrymës elektrike në amvisëri në të ardhmen, në periudhë të tarifës së shtrenjtë, por edhe gjatë asaj të lirë. Ky ndryshim i madh i sistemit të tarifave, sipas Kryetarit të Komisionit Rregullator, për momentin po projektohet me ndihmën e ekspertëve nga Fakulteti ElektroTeknik në Shkup, por edhe sipas përvojave nga vendet fqinje.

“Përvojat nga rajoni tregojnë se ne do të jemi vendi i parë që do të fusë në përdorim blloqe vetëm për tarifën e shtrenjtë, sepse konsiderojmë se tarifa e lirë duhet të mbetet pa kufizime dhe amvisëritë ta shfrytëzojnë, sepse kjo i përshtatet edhe sistemit tonë elektro-energjetik.” – Marko Bislimovski, komisioni rregullator

Si ilustrim për joracionalitet në harxhimin e rrymës në kohë krize, Bislimovski theksoi se 17 amvisëri në vend harxhojnë 10% të konsumit të përgjithshëm të amvisërive ose 330 milionë kilovat orë.

“Nuk jemi kundër që të harxhojnë, do të harxhojnë sa të dëshirojnë, por ata amvisëri me konsum enorm do të paguajnë çmimin afërsisht sa çmimin e tregut. Në lidhje me çmimet e energjisë elektrike jo vetëm në bursat rajonale por edhe në bursat tjera evropiane, nuk jam optimist se do të ketë ulje të çmimit nën 200 euro për një megavat orë dhe kjo do t’u bëjë presion serioz edhe kompanive maqedonase të cilat janë në tregun e lirë të energjisë elektrike.”, Marko Bislimovski – komisioni rregullator.

Se situata me energjinë elektrtike është e tensionuar flet edhe fakti që pothuajse të gjitha kompanitë në këtë sektor, Elektro Ekonomia e Maqedonisë së Veriut, EVN-Home, Elektro – distribucioni janë në humbje, siç tha Bislimovski. Relaksim premton trendi i vendosjes së sistemeve fotovoltaike në çatitë e kompanive dhe për këtë arsye për momentin janë dhënë mbi 30 leje, ndërsa në muajt që vinë ky numër pothuajse do të dyfishohet. /KlanMacedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia