close
Bota

RUSIA PREMTON: NUK DO TA SULMOJMË UKRANINËN

Rusi-a-Ukraina

Takim 7 orë në Gjenevë për uljen e tensioneve


Rusia u deklaroi Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk ka ndërmend të pushtojë Ukrainën. Premtimi u bë në takimin që zyrtarët e të dyja vendeve zhvilluan në Gjenevë të Zvicrës. Pas një takimi që zgjati për 7 orë të hënën, të dyja palët ranë dakord të vazhdojnë përpjekjet për të ulur tensionet. Por BBC citon se nuk kishte asnjë shenjë të një përparimi të madh pas bisedimeve.

Rreth 100 mijë trupa ruse besohet se po qëndrojnë ende pranë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar frikën e një inkursioni pavarësisht paralajmërimeve nga Perëndimi. Shtete e Bashkuara kanë thënë se do të kishte sanksione të rënda nëse Rusia do të sulmonte Ukrainën.

“Ne u shpjeguam kolegëve tanë se nuk kemi plane, nuk kemi synime për të sulmuar Ukrainën,” u tha gazetarëve zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov pas takimit. Ai tha “se të gjitha masat për stërvitjen luftarake të trupave dhe forcave po kryhen brenda territorit rus” dhe se “nuk kishte asnjë arsye për të frikësuar ndonjë skenar përshkallëzimi në këtë drejtim”.

Në krahun tjetër Zëvendës Sekretarja Amerikane e Shtetit e SHBA, Uendi Sherman i përshkroi bisedimet si “të sinqerta dhe të drejtpërdrejta”.

“Ne nuk do të lejojmë askënd të godasë politikën e dyerve të hapura të NATO-s, e cila ka qenë gjithmonë kryesore për aleancën e NATO-s,” tha ajo.

Ky ishte shansi i parë që diplomatët rusë dhe amerikanë kishin për të diskutuar ballë për ballë bllokimin mbi Ukrainën dhe kërkesat e Rusisë që NATO të tërhiqej nga Evropa Lindore. Edhe pse duket se është arritur pak marrëveshje, të dyja palët shprehën shqetësimet dhe parashtruan kërkesat e tyre me mundësinë që bisedimet të vazhdojnë në të ardhmen megjithatë, hendeku midis të dyja palëve mbetet i madh.

Tv Klan

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia