Ruskovska ankohet për presion – kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët

MUAREMI:  INFORMATAT E RUSKOVSKËS JANË TË PABAZA

Pas paralajmërimit të drejtorit të Policisë Financiare, Arafat Muaremi gjatë një brifingu të djeshëm me gazetarët se, do të paraqesë kallëzime penale për prokurorët që kanë bastisur këtë institucion, kreu i Prokurorisë Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni, Vilma Ruskovska, përmes një letre iu është drejtuar institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për ndihmë nga, siç ka theksuar, presionet e Muaremit, i cili është funksionar qeveritar. Ruskovska ka thirrur institucioneve kompetente në shtet si dhe të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe ambasadat të kontrollojnë të gjitha faktet dhe të zbardhet – kush në këtë shtet lufton kundër krimit, ndërsa kush e kryen krimin.

“Pikërisht për shkak të këtij sulmi dhe presioni ndaj prokurorëve të Prokurorisë Themelore Publike të ndjekjes së krimit të organizuar dhe korrupsion, duhet seriozisht të ndërmarrin masa edhe ambasadat e ShBA-së dhe BE-së, sepse kjo më së paku i ngjan një vendi anëtare në NATO dhe vendi që ka filluar negociata për në BE, ku sundimi i së drejtës është imperativ! Maqedonia as nuk është diktaturë, as nuk është monarki, në Maqedoni nuk guxon të sundojë vullneti i disa funksionarëve aktual apo të mëparshëm qeveritar, që prokurorët të mbyllin sytë para çdo lloj krimi, qoftë ai edhe në eshalonët më të larta të pushtetit”,deklaroi Vilma Ruskovska, Kryeprokurore e Prokurorisë për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Në letër më tej Ruskovska i ka bërë thirrje edhe prokurores evropiane Laura Kovesi të vijë dhe të kontrollojë të gjitha lëndët e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, prej kur është në krye të prokurorisë, me shqyrtim të veçantë të lëndëve për Rashkovskin, Zeqirin dhe këtë më të rejën, për Muaremin. Kryeprokurorja ka akuzuar se, në shtet ka krim, por ka presione që ai të mos ndiqet. Ndërkohë, drejtori i Policisë Financiare, Arafat Muaremi në përgjigjen e tij ndaj prokurores, theksoi se nëse Ruskovska disponon me njohuri dhe informata për krim që ka kryer ai, atëherë le të ndajë me opinionin akt akuzë dhe jo informata të zbrazëta dhe të pabaza.

“Prokurorja Ruskovska sikur të harrojë qëllimisht se krimi dëshmohet në kuadër të institucioneve, ndërsa qytetarët janë ata të cilët tregojnë besim tek ata në bazë të punës së tyre. I bëj thirrje Vilma Riskovksës, nëse ka njohuri dhe informata për krimin e kryer nga ana ime – të njëjtat t’i dëshmojë dhe t’i plasojë publikut akt akuzë kundër meje dhe jo njohuri dhe informata të zbrazëta dhe të pabaza, duke diskredituar në tërësi funksionin që e kryen”, deklaroi Arafat Muaremi, Drejtor i Policisë Financiare

Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit më 18 korrik bastisi Policinë Financiare, pas kallëzimit të një grup qytetarësh kundër drejtorit të këtij institucioni. Më 25 korrik Muaremi paraqiti Ruskovskën te kryeprokurori publik, Lubomir Joveski. Ky i fundit, para disa ditëve tha se, ka pasur mangësi në procedurë gjatë bastisjes së kryer me urdhër të Ruskovskës. Ndaj kësaj, Ruskovska është përgjigjur se, as kryeprokurori publik, as prokurorët e lartë publik nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në punën e Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion./KLanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share