close
Top LajmeVendi

SAMITI “THE ECONOMIST”: BE-ja TË HAPET NDAJ BALLKANIT PERËNDIMOR

14102021_PVRSM_Ekonomistsamit (2)

KURTI: BALLKANI TË PËRBALLET ME TË KALUARËN

Ballkan prosperues ekonomikisht, pjesë e Bashkimit Evropian, është qëllimi për të cilin përpiqen liderët rajonalë, por theksojnë se kjo është e realizueshme vetëm me mbështetje dhe ndihmë nga Brukseli dhe nga SHBA-të. Kryeministri Zoran Zaev shpreh bindjen se ekonomia në vend rimëkëmbet, rritet edhe shkalla e punësimit, ndërsa investimet e huaja bruto do të kenë  rritje 8%. Megjithë këtë, në vend, si në gjithë Evropën, përhapet frika nga rritja e inflacionit  si pasojë e krizës së shkaktuar nga Covid-19 dhe jostabiliteti i çmimit të rrymës elektrike.

Jostabiliteti i çmimeve për shkak të krizës energjetike nuk përjashtohet të “importohet” edhe në Maqedoninë e Veriut dhe për këtë arsye Kryeministri Zoran Zaev u bën thirrje investitorëve të huaj të vazhdojnë të investojnë në vend, ku tashmë janë të dukshme shenjat për rimëkëmbje ekonomike, ndërsa vazhdon edhe politika për mbështetje qeveritare.

ZORAN ZAEV, KRYEMINISTËR I RMV-së

“Vetëm në vitin 2021 deri më sot analizohen 150 kërkesa të reja për mbështetje të cikleve të investimit dhe besoj se më shumë se 110 prej tyre do të konfirmohen. Deri në mes të muajit tetor, kur duhet të përfundojë procesi për këtë vit, do të kemi 380 marrëveshje aktive për mbështetje. Fokusi ynë është i orientuar drejt energjetikës, digjitalizimit dhe investimeve në teknologji të përparuara, si dhe zhvillimim it ë gjithë sektorëve dhe degëve të industrisë.”

Që të motivohen të huajt të investojnë, rajoni duhet të përgjigjet me stabilitet dhe barazi ligjore, ndërsa për momentin krizat, si ajo në Veriun e Kosovës, shkaktojnë pasiguri. Për tejkalimin e tyre, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sugjeron përballje me të kaluarën.

ALBIN KURTI, KRYEMINISTËR I KOSOVËS

“Për gjithë gjakun e derdhur, pastrimin etnik, gjenocidin e viteve të 90-ta, nuk ka ndjenjë përgjegjësie dhe keqardhje nga ana e agresorit. Kjo është e gabuar. Në qoftë se nuk ndjeni asnjë faj, as përgjegjësi për gjithçka që ka ndodhur, atëherë do ta përsërisni. Pas Luftës së Dytë Botërore BE-ja u ndërtua në bazën e pranimit të përgjegjësisë dhe përballjes me të kaluarën. Edhe ne në Ballkan duhet ta ndjekim këtë.”

Zv/Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq shtoi se Bashkimi Evropian më në fund duhet ta kuptojë se në Ballkanin Perëndimor duhet të investohet, posaçërisht në infrastrukturë që të mundësohet lëvizje dhe pajtim i vërtetë./KlanMacedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia