close
Rajoni

SARAJEVË: ANULOHET STËRVIJTA USHTARAKE ME SERBINË

MANJACA

DODIK KRITIKON VENDIMIN

Ministria e Mbrojtjes e Bosnjë e Hercegovinës ka anuluar një stërvitje të përbashkët të forcave të saja të armatosura me ato të Serbisë të planifikuar për 9-16 tetor. Arsye për këtë është përmendur situata epidemiologjike, por dhe mosmiratimi i buxhetit. Vendimi është kundërshtuar nga Milorad Dodik, lider i serbëve të atjeshëm.

Manovrat e përbashkëta u paralajmëruan nga ministrat respektiv të Mbrojtjes  të të dyja vendeve, Sifet Poxhiq dhe Nebojsha Stefanoviq, gjatë takimit të tyre, muajin e kaluar, në Beograd, por anulim, përkundër arsyetimit duket se ka për të ngritur tensionet politike ndërmjet Sarajevës dhe Banja Lukës. Milorad Dodik, anëtar serb i Presidencës kolektive treanëtarëshe të Bosnjë e Hercegovinës, ka deklaruar se ministri boshnjak i Mbrojtjes nuk ka qenë i autorizuar për të anuluar stërvitjen e përbashkët me ushtrinë e Serbisë dhe nuk ishte konsultuar me Presidencën. Dodik ka paralajmëruar padi penale kundër ministrit Sifet Poxhiq.

Vendimin për manovrat ishte miratuar nga Presidenca boshnjake, ndërsa ministri Poxhiq pati sqaruar se ato janë pjesë e bashkëpunimit rajonal të parashikuar edhe me Kartën e Adriatikut që shënon partneritetin strategjik të shteteve anëtare me qëllim të integrimit në institucionet evropiane – politike, ekonomike, të sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo nismë është themeluar më 2003 nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa më pas i janë bashkuar edhe Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, kurse Serbia ka statusin e vëzhguesit. Serbia nuk aspiron anëtarësimin në Aleancën Ushtarake ndërsa në Sarajevë, serbët e Republika Serpskës kundërshtojnë aderimin. Agjencitë e lajmeve thonë se kjo do të ishte stërvitja e parë e përbashkët e forcave të armatosura të të dyja republikave ish-jugosllave pas luftimeve të përgjakshme të fundshekullit të kaluar./Klan Macedonia/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia