close
Vendi

SELAMI: SHIFRAT NË BAZA ETNIKE JASHTË ESHS-së – MANIPULIME

74F75B9A-4490-4A79-8209-E26BDE7A8A84

DIPLOMATI BULLGAR ME KËRCËNIME PËR “BULLGARËT MAQEDONAS” QË NUK DEKLAROHEN NË REGJISTRIM


Zv/Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave e vlerëson si mediatik ose manipulim diplomatik pohimin e ishambasadorit bullgar se deri më tani 72 persona në vend janë regjistruar si Bullgarë në regjistrimin në vend. Ivan Ançev, ishdiplomat bullgar, thotë se në qoftë se regjistrohen më pak se 1 mijë persona, prej mbi 100 mijë posedues të pasaportës bullgare në Maqedoninë e Veriut, kjo “do ta privonte Bullgarinë nga argumentet për kontestin me Shkupin”.

Çdo informacion për shifra në bazë etnike ose detaje të tjera për regjistrimin në Maqedoninë e Veriut, që nuk vjen si informacion zyrtar nga Enti Shtetëror i Statistikave, është manipulim, nga grupe të ndryshme të interesit, shpreh bindjen Zv/Drejtori Ilmi Selami.

ILMI SELAMI, ZV/DREJTOR I ENTIT SHTETËROR TË STATISTIKAVE

“Gjithçka që do të dorëzohet në këtë periudhë, deri më 30 shtator dhe më pas, ndërsa burimi i informacionit nuk do të jetë Enti Shtetëror i Statistikave, si informacion zyrtar, këtë duhet ta  kuptoni si përpjekje për manipulim, mediatik, politik dhe të tjera. Duke pasur parasysh që jemi në periudhë para zgjedhjeve, mund ta parashikoni pse ndodh gjithë kjo.”

Çështjen e ka nxitur shkrimi për median bullgare “Faktor” nga Ivan Ançev, ishdiplomat bullgar në SHBA, rreth numrit të bullgarëve të regjistruar në Maqedoninë e Veriut, gjatë ditëve të para.

IVAN ANÇEV

“Në qoftë se si “Bullgarë” vetëpërcaktohen vetëm një mijë persona, kjo do të na privonte nga argumentet në dialogun me autoritetet në Shkup gjatë dekadës së ardhshme. Sipas organizatave joqeveritare bullgare që punojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk jemi larg nga mundësia që më 30 shtator të përballemi me një shifër të tillë. Jozyrtarisht, sipas fondacionit “Makedonija” në dy ditët e para të regjistrimit në RMV si bullgarë janë deklaruar 72 persona.”

Për momentin nuk ka konfirmim për saktësinë e të dhënave të Ançev, edhe pse dihet se është e dënueshme me ligj shpalosja e detajeve para përfundimit të operacionit. Ançev sugjeron edhe marrjen e shtetësisë bullgare për ata që nuk do të deklarohen si bullgarë, pasi një herë janë deklaruar si të tillë gjatë marrjes së pasaportës. Regjistrimi për momentin zhvillohet edhe në Bullgari, por pa mundësi që Bullgarët që jetojnë në vende të tjera të vetëregjistrohen, por siç thonë personat zyrtarë “ata do të numërohen në vendet ku jetojnë.” /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia