close
Rajoni

SERBI, AFERA E SPIUNIMIT: AKUZA SOFJES E SHKUPIT?!

Screenshot_6

Zaharieva: Serbia e ka problemin – brenda


Publikimi i një xhirimi në të cilin shihen dy burra që takohen një parking shkojnë në kafene dhe shkëmbejnë me njëri tjetrin nga një qeskë, ka rezultuar të jetë pikëpjekje e dy agjentëve – ruso-serb. I pari i jep të dytit edhe një zarfë me para. Afera ka alarmuar Beogradin zyrtar, ndërkohë që Kremlini ka deklaruar se asgjë nuk mund të ndikojë në marrëdhëniet vëllazërore ruso-serbe. Ndërkohë, një zyrtar i lartë serb është munduar që të spostojë vëmendjen: deputeti Milovan Drecun për këtë skandal ka akuzuar Sofjen, por edhe Shkupin zyrtar.

Politikanët dhe media serbe e afërt me qeverinë në Beograd, po mundohen të hedhin dritë më shumë jo për atë se si janë të implikuara shërbimet e huaja dhe shetasit e Serbisë në aferën më të re, por kush e publikoi atë. Kryetari i komisionit parlamentar serb për Kosovën, Milovan Drecun, ka deklaruar se publikimi është bërë nga një gazetar bullgar me emrin Hristo Grozev, por i njëjti nuk ka nguruar të akuzojë Bullgarinë, por edhe Maqedoninë për ato që ai i ka quajtur operacione hibride kundër Serbisë.

‘Gazetari investigativ bullgar duket se qëndron pas këtij publikimi, megjithëse ai pohon se nuk e di kush është autor i kësaj, por si duket ekzistojnë mekanizma përmes të cilëve individë të caktuar, përmes shërbimeve të caktuara, mund të plasojnë informacione në publik. Së dyti, kujtonie se Bullgaria reagoi ashpër ndaj pranisë së paradokohshme të sistemit S-400 në manovrat e përbashkëta ndërmjet Rusisë dhe Serbisë sepse, thanë, gjoja nëse ky sistem po qe se Serbia e posedon mund të godasë caqe në territorin e Bullgarisë dhe kjo rrëfenjë ralisht mund t’ju shkaktojë dëm pikërisht interesave dhe marrëdhënieve serbo-ruse në planin e sigurisë. Pastaj, shikonie reagimin e Këshillit të Atlantikut në Bullgari: Ata kumtuan se në territorin e Bullgarisë, paralajmëruan zyrtarët bullgarë, po zhvillohet një operacion i vërtetë hibrid nga ana e Rusisë me qëllim të, sikurse thanë, përgatitjes së sulmeve terroriste nëpër vendet fqinje. Në terriorin e Bullgarisë, shërbimi rus kinse po përgatit sulme terroriste në territoret e vendeve fqinje.’- deklaroi të enjten për televizionin e Serbisë, deputeti Milovan Drecun duke pohuar se si kohë më parë në Shkup është formuar një qendër e maskuar informative ku janë të sistemuar edhe përfaqësues të shërbimeve të sigurisë të  disa vendeve fqinje të Serbisë si Maqedonsië, Kroacisë e Bullgarisë .

‘Kjo dëshmon se padyshim kundër shtetit të Serbisë një kohë të gjatë dhe në vazhdimësi po ndërmerret një varg operacionesh hibride nga më shumë anë dhe është e nevojshme që Serbia ta forcojë mekanizmin e vet për mbrojtje nga këto operacione hibride,’- tha  Milovan Drecun që është shef i komisionit parlamentar serb për Kosovën.

Kualifikimet e këtilla nuk kanë mbetur pa reagimin e Sofjes zyrtare. Ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, i ka cilësuar si të pavërteta. Në një prononcim për televizionin Bullgar Nova, kryediplomatja e vendit fqinj tha se në xhirimin e publikuar nuk shihet ndonjë spiun bullgar që po i jep ryshfet oficerit serb, por ai është nga një shtet tjetër, ndaj le të mos akuzojnë dikë për atë çka vetë janë fajtorë- tha Zaharieva.

Ministrja e Jashtme e Bullgarisë tha po ashtu se akuzat e këtilla nuk kontribuojnë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe duke rikujtuar se Sofja ka ndihmuar vazhdimisht Serbinë në perspektivën e saj evropiane.

Të enjten, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare pranoi se në këtë aferë spiunazhi kishte fakte se ishin të implikuar, sikurse saktësoi ai, disa pjesëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë si dhe nëntë pjesëtarë të forcave ushtarake serbe.

Moska zyrtare ndërkaq, gjithë këtë aferë e ka komentuar përmes deklaratës së zëdhënësit të Kremlinit, Dimitry Peskov: “Raportet me Serbinë janë vëllazërore dhe të bazuara në partneritet. Asgjë nuk mund të ndikojë tek ato” – citohet Peskov nga agjencia e lajmeve Rojters. Më 4 dhjetor pritet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq të takohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Moskë. /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia