close
Top LajmeVendi

SEZONI I “NGUFATJES” – MASAT KUNDËR NDOTJES

Screenshot_6

Ndotja e ajrit gjatë ditëve të fundit po vazhdon të rritet. Sipas grimcave PM10 në ajër, kryeqendra e Maqedonisë së Veriut radhitet ndër tre metropolet botërore me ndotje më të madhe të ajrit. Profesori universitar Murtezan Ismaili thekson se Maqedonisë së Veriut i duhet një plan strategjik për zhvillim të qëndrueshëm ekologjik.

“Mungon një plan strategjik për zhvillim të qëndrueshëm ekologjik në nivel republikan që do të duheshte sipas planifikimeve të këshillit të evropës dhe të qendrës për ndryshime klimatike diku ka 2015 të jetë gati, Maqedonia e Veriut me sa e di unë këtë plan aspak nuk e ka filluar.” -shprehet Murtezan Ismaili, Profesor Universitar

Nga Eco Guerrila thonë se në adresë të kësaj organizate vijnë ankesa të shumta nga qytetarët për ndotës të ndryshëm. Ata thonë se inspektoriati komunal nuk e bën punën siç duhet.

“Ne si organizatë marrim raportime të ndryshme për ndotës të ndryshëm, sigurisht se ka ndërmarrje të mesme, por edhe të vogla që djegin materiale të ndryshme qoftë për ngrohje, qoftë për të eliminuar mbeturinat që janë grumbulluar dhe këto qytetarët i fotografojnë dhe na dërgojnë duke thënë se po na mbysin, dhe ne të njëjtat ja përcjellim inspektoriatit ekologjik komunal të komunës të cilët si zakonisht nuk bëjnë asgjë.”-deklaroi Arianit Xhaferi – “Eco Guerilla”

Besa Tateshi nga Ministria e Ekologjisë njofton se çdo komunë ka për obligim të ketë plan të posaçëm për cilësinë e ajrit.

“Në bazë të ligjit për cilësinë e ajrit, çdo komunë e ka për detyrë të ketë planin për cilësinë e ajrit. Në këtë plan çdo komunë e ka të patjetërsueshme një sërë masash me të cilat pasi të implementohen do të sjellin deri te reduktimi i ndotjes së ajrit.”-shprehet Besa Tateshi – Ministria e Ambientit Jetësor.

Derisa, pushteti lokal dhe qendror përpiqen të gjejnë argumente për situatën aktuale me ndotjen enrome të ajrit, në rrejtete sociale qytetarët debatojnë për të zgjedhur maskën më adekuate që më së miri do ta mbrojë shëndetin e tyre nga ajri i ndotur. Njoftimet thonë se nga 70 kallëzimet e dorëzuara për ndotje të ajrit, për asnjë nuk ka patur epilog gjyqësor, respektivisht masat kundër ndotjes dhe ndryshimeve klimatike kanë mbetur në labirinthet gjyqësore dhe nuk ka patur aktvendime kundër ndotësve. /Klan Macedoni/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia