close
Bota

SHBA: BALANCË PUSHTETI-DEMOKRATËT KONGRESIN, REPUBLIKANËT SENATIN

auto_123-51541460491

Fytyra të reja në Kongres


Demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e së martës për Kongresin, ndërsa republikanët mbajtën kontrollin e Senatit, duke krijuar një Kongres të ndarë që do të vendosë pengesa ndaj programit legjislativ të Presidentit Donald Trump në dy vitet e ardhshme. Hera e fundit që ka patur një ndarje të tillë të pushtetit, që demokratët morën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe republikanët senatin, ishte në vitin 1986 në mandatin e dytë të presidentit Ronald Reagan

Kryetarja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në krah të figurave të tjera demokrate me peshë, doli para mbështetësve demokratë, duke thënë se është një ditë e re për Amerikën.

“Demokratët zotohen për një Kongres që punon për njerëzit. Do të ulim shpenzimet për kujdes shëndetësor duke ulur çmimin e ilaçeve. Do të rrisim pagat e punëtorëve me rritje më të madhe ekonomike duke ndërtuar një infrastrukturë të Amerikës, do të largojmë korrupsionin për ta bërë Uashingtonin të funksionojë për të gjithë amerikanët. Kongresi demokratik do të punojë për zgjidhje që na bëjnë bashkë sepse mjaft jemi përballur me ndarje. Populli amerikan dëshiron paqe. Ata duan rezultate.”

Presidenti Donald Trump menjëherë pas shpalljes së rezultateve të para përmes Tuiterit rezulatatet i ka quajtur “një sukses të madh”, duke anashkaluar disfatën në Dhomën e Përfaqësuesve. Sic ka njoftuar Shtëpia e Bardhë, pas mbylljes së vendvotimeve, ai ka biseduar me krerët më të lartë të Republikanëve dhe Demokratëve.

Marrja e kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve nga demokratët për herë të parë që prej tetë vjetësh, do të thotë që ata do të jenë në gjendje të frenojnë axhendën e Presidentit republikan, Donald Trump. Por jo vetëm kaq. Ata mund të hidhen në sulm, duke marrë drejtimin e komisioneve të rëndësishme që kanë kompetenca të gjera për hetime.

Por ruajtja e kontrollit të senatit, do të thotë që republikanët do të vazhdojnë të kenë aftësinë të konfirmojnë të emëruarit në gjyqësor dhe kandidatura të tjera të Presidentit Trump. Senati i kontrolluar nga republikanët mundet gjithashtu të mos lejojë Kongresin të shkarkojë Presidentin Trump, nëse Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët fillon procesin për shkarkimin e tij. Një numër rekord prej 237 grash kandiduan për Dhomën e Përfaqësuesve dhe 23 në garat për senatin në gjithë vendin, përfshirë 185 Demokratë dhe 52 republikanë. /Klan Macedoni&Agjencitë/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia