close
Bota

SHBA: DORËHIQET GUVERNATORI I NJU-JORKUT

1A351FFB-BB33-4E57-97F7-12EDE193F1EA

ARSYEJA – ‘NGACMIMET SEKSUALE’


Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas një dekade në krye të shtetit të Nju-Jorkut, Guvernatori Andrew Cuomo ka dhënë dorëheqje, pas akuzave se kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra. Më parë zoti Cuomo u kishte rezistuar thirrjeve për dorëheqje, edhe pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut publikoi një javë më parë rezultatet e një hetimi që konfirmonin se ai ishte sjellë në mënyrë të papërshtatshme.

Dorëheqja e zotit Cuomo është një rënie spektakolare për dikë që vjen nga një dinasti politike amerikane dhe që kishte ambicje edhe më të mëdha. Vetëm një vit më parë ishte fytyra e luftës ndaj Covidit në Nju Jork. Dorëheqja e tij ishte nxitur jo vetëm nga kundërshtarët e tij, por edhe nga aleatët politikë. Ai tha se po tërhiqej për të mirën e Nju-Jorkut.

Pavarësisht dorëheqjes zoti Cuomo vazhdoi të mohonte se ai nuk i kishte respektuar gratë me qëllim dhe tha se akuzat ishin sulme “të motivuara politikisht” kundër tij, por avokatja e njërës prej akuzueseve, Gloria Allred, tha se ai kishte bërë mirë që dha dorëheqjen.

“Nuk është më e pranueshme të prekësh gratë në asnjë pjesë të trupit të tyre, në fytyrë apo në pjesët private. Nuk është e pranueshme në vendin e punës, dhe as jashtë vendit të punës. Ai e dinte këtë, kur e bëri një gjë të tillë. Ishte marrje në sy e rrezikut në nivelin më të lartë “, tha ajo.

Presidenti Biden tha se e respektonte vendimin e Guvernatorit Cuomo dhe se megjithëse mendonte se kishte bërë punë të mirë në drejtime të tjera, ishte vendimi i duhur.

Prokurorja e Përgjithshme e Shtetit të Nju Jorkut Letitia James tha javën e kaluar se gratë që kanë akuzuar akuzuar zotin Cuomo ishin punonjëse dhe ish -punonjëse të shtetit të Nju Jorkut. Zëri I Amerikës bën të ditur se ndërkohë, pas dorëheqjes së Andrew Cuomos, shteti i Nju Jorkut do të drejtohet për herë të parë nga një grua, zëvendës guvernatorja Kathy Hochul, një 62-vjeçare dhe ish-anëtare e Kongresit amerikan./Klan Macedonia&VOA/ 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia