close
Bota

SHBA KËRKON BURIME ALTERNATIVE GAZI PËR EUROPËN

nato4

SHBA gati 8500 trupa për të mbajtur Ukrainën, NATO përforcon aleatët e lindjes


Perëndimi është duke shtuar përgatitjet për t’i bërë ballë çdo veprimi ushtarak rus në Ukrainë, me Shtetet e Bashkuara të fokusuara në mbrojtjen e furnizimeve të energjisë dhe Britaninë që po u bën thirrje partnerëve të tjerë europianë që të bëjnë gati sanksionet ekonomike.

Tensionet mbetën të larta pasi NATO-ja tha se po i vendoste forcat ushtarake në gatishmëri dhe po përforconte pozicionet në Europën Lindore me më shumë anije dhe avionë luftarakë në përgjigje të grumbullimit të trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën.

Rusia, e cila mohon planifikimin e një sulmi, tha se po e ndiqte me “shqetësim të madh” situatën. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov përsëriti linjën e Moskës se kriza po nxitet nga veprimet e ShBA-së dhe të NATO-s, jo nga grumbullimi i trupave ruse.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë kërcënuar me sanksione ekonomike nëse Rusia pushton Ukrainën. Udhëheqësit perëndimorë thonë se uniteti është parësor në këto çaste.

Është absolutisht jetike që … Perëndimi të jetë i bashkuar tani, u bëj thirrje “miqve tanë europianë” të jenë gati për të vendosur sanksione sapo të ketë ndonjë inkursion“, i tha parlamentit Kryeministri britanik Boris Johnson, duke duke shtuar se Britania po diskutonte mundësinë e përjashtimit të Rusisë nga sistemi global i pagesave SWIFT.

Në Uashington, zyrtarë të lartë të administratës së Bidenit thanë se Shtetet e Bashkuara ishin në bisedime me vendet dhe kompanitë kryesore prodhuese të energjisë në mbarë botën për një devijim të mundshëm të furnizimeve në Europë nëse Rusia pushton Ukrainën.

Zyrtarët amerikanë nuk përmendën vendet ose kompanitë e përfshira në diskutime, por thanë se “është punuar për të identifikuar vëllime shtesë të gazit natyror jo-rus nga zona të ndryshme të botës, midis tyre; nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme deri në Azi dhe Shtetet e Bashkuara“, tha një zyrtar i lartë i administratës, në kushte anonimiteti.

Bashkimi Europian varet nga Rusia për rreth një të tretën e furnizimeve të saj me gaz. Çdo ndërprerje në furnizimin me gaz të Rusisë në Europë do të përkeqësonte një krizë ekzistuese energjetike të shkaktuar nga mungesat.

Rusia ka dhjetëra mijëra trupa pranë Ukrainës dhe po kërkon garanci sigurie nga Perëndimi, duke përfshirë një premtim të NATO-s për të mos pranuar kurrë Ukrainën. Moska e sheh ish-republikën sovjetike si një zonë neutrale midis Rusisë dhe vendeve të NATO-s.

Tensionet rreth Ukrainës janë ndjerë në tregjet financiare dhe sidomos tek çmimi i naftës ditët e fundit. Përshkallëzimi i konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës ka të ngjarë të rrisë më tej kostot e energjisë për shumë vende.

Pentagoni tha të hënën se rreth 8,500 trupa amerikane ishin vënë në gatishmëri të shtuar dhe po prisnin urdhrat për t’u vendosur në rajon, nëse Rusia pushton Ukrainën. Ndërsa NATO-ja ka rreth 4,000 trupa në batalione shumëkombëshenë Estoni, Lituani, Letoni dhe Poloni, të mbështetur nga tanke, mbrojtje ajrore dhe njësi të inteligjencës e mbikëqyrjes.

Klan News

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia