close
Bota

SHBA: NDRYSHOHEN RREGULLAT PËR DEBATET PRESIDENCIALE

FEE0F34E-006C-4C9E-91A4-12E5BABC12AB

Komisioni i Debateve Presidenciale thotë se do të shtojë “masa të reja” për të ruajtur rregullin” në debatet e ardhshme pas debatit të parë kaotik mes Presidentit Donald Trump dhe rivalit të tij demokrat, Joe Biden.

Ndërprerjet e vazhdueshme nga ana e zotit Trump ndërsa fliste kandidati demokrat, përcaktuan tonin e debatit të martën. Zoti Biden shpesh nuk arrinte të mbaronte dot fjalinë.

Moderatori Chris Wallace i televizionit Fox News i kërkoi disa herë zotit Trump që të lejonte zotin Biden të mbaronte, por pa rezultat.

Zoti Biden tha në një takim fushate të mërkurën se shpresonte që organizatorët e debateve të ardhshme të mund të mbyllnin mikrofonin e kandidatit që nuk ishte duke folur.

“Ishte një turp kombëtar. Nuk dua të spekulloj se çfarë do të ndodhë në debatin e dytë ose të tretë”, tha ai.

Presidenti Trump reagoi në Twitter duke postuar një lajm për njoftimin e Komisionit të Debateve Presidenciale, shoqëruar me komentin:

“Provoni të merrni një moderator të ri dhe një kandidat më të zgjuar demokrat”.

Ai e kishte kritikuar edhe më herët në Twitter gjatë ditës, moderatorin e debatit, Wallace.

Komisioni i Debateve Presidenciale e falenderoi zotin Wallace “për profesionalizmin dhe aftësitë e tij në debatin e natës së kaluar”.

Ndërkohë fushata e zotit Trump reagoi ndaj njoftimit, duke thënë se Komisioni “nuk duhet të ndryshojë rregullat e lojës në mes” të procesit.

 

Komisioni jopartiak ka organizuar çdo debat për zgjedhjet presidenciale që nga viti 1988. Në një deklaratë, komisioni tha se debati i parë “e bëri të qartë se duhen bërë ndryshime në strukturën e formatit të debateve të ardhshme, për të garantuar një diskutim më të rregullt të çështjeve”.

Komisioni tha se “synon të sigurojë instrumente shtesë për të ruajtur rregullin për debatet e tjera”.

Komisioni thotë gjithashtu se po “shqyrton me kujdes ndryshimet që do të miratojë dhe do t’i bëjë ato të njohura së shpejti”./ Zëri i Amerikës /

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia