close
Vendi

SHËNIM: SA VËSHTIRË ËSHTË TË JETOHET NË KUMANOVË

2016-07-02_171231

Jo moti, për një shqiptar që jetonte në Manastir, Veles a Prilep, zakonisht thuhej ‘’Sa vështirë është të jetohet këtu’’.  Kjo thënie përmbante në vete një dhimbje, por edhe një protestë për pamundësinë e realizimit të një të drejte elementare që ka njeriu – siç është jeta aty ku ke lindur . Tash, kur,  sikur e kishim harruar paksa ankthin semantik që sjell kjo thënie,  sërish na bie ndërmend të pyesim, por pak kush e ka besuar se Kumanova do të jetë ai vilajet i zymtë ku shqiptarët e kanë vështirë të bëjnë një vizitë normale te mjeku, sepse del një i hallakatur, që rastësisht është i një kombësie tjetër, dhe në pikë të ditës të vret fëmijën, apo ndonjë të dashur tjetër.

As edhe atëherë kur pritej të ndodhte ndonjë konflikt i përmasave ndëretnike, në 2001- shën, në Kumanovë, nuk u regjistrua qoftë edhe një incident që do të prishte fqinjësinë dhe marrëdhëniet në mes të banorëve të etnive të ndryshme.

Po tani, çka ndodhi? Sado e izoluar dhe pa ndonjë ngjyrim politk a fetar, ngjarja e fundit në Kumanovë, nuk mori vetëm një jetë të njomë fëmije, por ajo  gërmoi pak më tepër në ndjenjat e trazuara të njerëzve, të cilët këtë tragjedi familare nuk po e shohin vetëm si dhembje prindore, por paksa më shumë.  Solidarizimi me këtë dhembje tejkalon përmasat e një reagimi spontan gjithëqytetar, kurse fataliteti i thënies‘’Sa vështirë është të jetohet në Kumanovë’’ rizgjon demonët e fjetur të Luftërave Ballkanike, atëherë kur shqiptarët e këtij rajoni e paguan shtrenjtë mbi kurrizin e tyre mbetjen jashtë mburojës kombëtare dhe për pasojë ekspozimin ndaj një dhune të paparë, që degjeneroi në shpërnguje dhe tkurrje demogarfike.

Familja e Almir Aliut të vogël do ta ketë vështirë të tejkalojë këto çaste dramatike, sepse humbja që vjen si pasojë e një sulmi të shfrenuar të një bashkëqytetari të ç’ekuilibruar, nuk mund të kompensohet me thirrjet retorike për një drejtësi të paanshme. Kjo familje dhe gjithë ata që po ndjejnë dhembje për shuarjen e një jete të njomë, nuk do të mund të jenë të qetë edhe sikur autori i krimit të merr ndonjë dënim kapital. Sepse, dënimet nuk e kompensojnë krimin, për aq sa ai motivohet dhe ekzekutohet në një mjedis të përzier etnik, siç është Kumanova, ku frika se mund të riciklohet urrejtja ndëretnike është më  e madhe se retorika boshe për një bashkëjetesë të brishtë.

Nuk është në dorën e njerëzve të thjeshtë të bëjnë strategjitë e daljes nga situatat e tensionuara. Iu takon autoriteteve vendore e qendrore, bashkë me strukturat e tyre, të investojnë pak më tepër klimë mirëbesimi e sigurie në mes të qytetarëve të etnive të ndryshme, duke ua pre hovin prirjeve shovene të disa qarqeve antishqiptare në Kumanovë dhe më gjerë, të cilët, lehtësinë e sjelljes me shqiptarët e kanë reduktuar në mjet që do t’u silte atyre më tepër dinjitet kombëtar.

Shqiptarët e Kumanovës e kanë të qartë se në çfarë rrethanash specifike përbirohet karvani i tyre i mbijetesës, por ata në asnjë moment nuk guxojnë ta thërmojnë të ardhmen e tye në kthinat e errëta të mosdurimit që nxitet nga bashkëqytetarët e kombësive të tjera.  /E. A. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia