close
Screenshot_5

Tetovë: Zjarrfikësit të pakënaqur me kushtet


Në Tetovë është shënuar 20 maji dita e zjarrfikësve. Janë bërë punë për përmirësimin e kushteve thonë zjarrëfikësit, por shumçka ngelet për t’u dëshiruar.

Manifestim për kremtimin e 20 majit, ditës së zjarrfikësve, është mbajtur sot në hapësirat e Njësisë Teritoriale Kundër Zjarrit në Tetovë. Kryeshefi i këtij njësiti, Uka Aliti, në cilësinë e nikoqirit ka falënderuar të gjithë ata që kanë dhënë përkrahje për përmirësimin e kushteve të këtij dikasteri.

E pranishme në manifestim ishte edhe e para e qytetit të Tetovës Teuta Arfi, e cila ka premtuar për përmirësimin akoma më shumë të kushteve të zjarrfikesve.

Edhe në këtë ditë sindikata e punëtorëve të zjarrfikësve kanë shprehur pakënaqësi për kushtet e tyre. Paga dhe honoraret janë ato që i shqetësojnë më tepër.

“Nuk janë paguar në tërësi honoraret, kjo është puna jashtë orarit, puna gjatë festave, nuk është e rregulluar mirë ndarja e turneve, në nivel mujor përkatësisht siç është llogaritur në raportet gjyqësore, rreth 200 mijë denarë për tre vite nuk u janë paguar zjarrfikësve. Mendoj se jetëgjatësia e njësiteve të zjarrfikësve përmes donacioneve të jashtme duhet të përfundojë. Shteti, komuna që merr përqindje të caktuar, qoftë në regjistrimin e veturave, qoftë nga pagat dhe kontributet, mjetet e njëjta duhet të dedikohen për pajisjen me mjete të njësitëve të zjarrfikësve.” –thaGoran Risteski – Sindikata e Punëtorëve.

Gjatë festimit të ditës së zjarrfikësve, përpos zyrtarëve, kanë qëndruar edhe nxënësit e shkollës së mesme tekstile Gjoce Stojçevski. Njësia Territoriale kundër zjarrit në Tetovë, në shenjë falënderimi, ka ndarë mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në përmirësimin e kushteve të këtij njësiti. /Lulzime Ameti/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia