close
Top LajmeVendi

SHEQERINSKA NË TAKIMIN E MINISTRAVE TË NATO-s

Screenshot_8

“Në qoftë se NATO fillon mision në irak, RMV-ja do të dërgojë trupa”


Dita e dytë e takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel u fokusua në analizën e armatimit raketor rus dhe shkeljen e Marrëveshjes për ndalesën e raketave balistike tokësore me interval të mesëm. Ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska e cila merr pjesë në takim paralajmëron zgjerim të bashkëpunimit bilateral në mes Maqedonisë së Veriut dhe disa vendeve anëtare të NATO-s.

Në njoftimin e shkurtër për punë në ditën e dytë të takimit të ministrave të NATO-s, në të cilin merr pjesë edhe Maqedonia e Veriut, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg theksoi se investimi në mbrojtjen kolektive zhvillohet mirë, por në të ardhmen duhet të përparojë. Fokusi i bisedimeve të sotme u përqëndrua në shkeljen ruse të Marrëveshjes për ndalesë të raketave me interval të mesëm dhe të shkurtër, e nënshkruar në mes SHBA-ve dhe Rusisë në vitin 1987.

“NATO është e bashkuar rreth shkeljes së Rusisë të Marrëveshjes AjEnEf (INF). Konsultimet për këtë çështje zhvillohen qe një kohë të gjatë, pajtohemi me çdo hap. Qershorin e kaluar u pajtuam për pako të baraspeshuar të mbrojtjes, si përgjigje për Rusinë në lidhje me raketat EsEsSi8. Sot do të bisedojmë në detaje për raketat ruse me interval të mesëm dhe të shkurtër me kërkesë për kontroll dhe çarmatim të plotë.”-tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Ministrja e Mbrojtjes Radmila Sheqerinska, e cila prej ditës së djeshme merr pjesë në takimin e ministrave të Aleancës paralajmëroi marrëveshje të reja bilaterale për bashkëpunim në mbrojtje, si anëtare me të drejta të plota në bllok. Dje u nënshkrua marrëveshje me Britaninë e Madhe, ndërsa punohet edhe për marrëveshje të ngjajshme me SHBA-të, Turqinë dhe Francën. Pas takimit me ministren franceze të Mbrojtjes Florens Parli, Sheqerinksa shprehu kënaqësinë që të dyja vendet e përforcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa pjesëtarë të Armatës së Maqedonisë së Veriut përgatiten për misionin e trajnimit në Republikën e Afrikës Qendrore, së bashku me ushtarë nga Franca. Në qoftë se NATO e pranon ftesën nga Qeveria në Irak për trajnim të forcave të armatosura irakiane, Maqedonia e Veriut do të dërgojë kuadrot e veta, paralajmëroi Sheqerinska. Sipas informacioneve nga Spanja, në mes të muajit mars pritet që Parlamenti në Madrid ta nënshkruajë protokollin për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në NATO, me çka vendi përveç që do të marrë pjesë në punën dhe në misionet e Aleancës, zyrtarisht do të jetë edhe vendi anëtar i 30-të. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia