close
VendiVideo

SHIPKOVICË: Ç’ËSHTË BËRË PËR KOMPENSIMIN E DËMEVE NGA VËRSHIMET E VITIT TË KALUAR?

2016-08-01_175428

Ish-kryeministri Nikola Gruevski, në cilësinë e kryetari të VMRO DPMNE-së,, ka qëndruar në Shipkovicë të Tetovës për të parë  sanimin e dëmeve të para një viti të shkaktuara nga vërshimet të cilat morën jetën e katër personave. Ndërkohë, Ejup Halimi, bashkërendues i  Komisionit qeveritar për vlerësimin e dëmeve të vitit të kaluar, thotë për televizionin Art se në emër të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e para një viti, në anën e Tetovës, janë ndarë diku rreth njëmilion e treqindmijë euro.  

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Nikola Gruevski, ka shpejtuar të ngjitet në Shipkovicë,  dy ditë para përvjetorit të vërshimeve që morën jetën e katër personave dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale. Sot ai pranoi  mirënjohje për interesimin kur ishte në postin e kryeministrit. Por shipkovicasit kësaj radhe ia qanë hallin se sanimi i dëmeve nuk ishte bërë deri në fund. Ky malësor iu ankua se nuk ishte zhdëmtuar për shtëpinë e shkatërruar, ndërsa gjyshi i dy viktimave të vitit të kaluar kërkoi që të rregullohet shtrati i përroit që nga viti 1932 e deri vjet u tërbua dy herë dhe mori gjashtë viktima.

Qeveria i pagoi rreth 25 milionë denarë në dhjetor, Byrosë së Ekspertizës Gjyqësore, pastaj u provua se nevojiten edhe 8.5 milionë denarë, për shkak se ishte bërë një gabim nga ana e Byrosë së Ekspertizës Gjyqësore, dhe gjatë korrikut edhe ato iu kaluan Komunës së Tetovës, kështuqë ato janë duke u ndarë ose duhet të jepen së shpejti. Nga ky aspekt, sa jam informuar nga ana e kompetentëve, Qeveria e ka kryer detyrimin, tani pjesa tjetër duhet të kryhet nga Komuna.

Tha ish- kryeministri Nikola Gruevski duke urdhëruar bashkëpunëtorët e tij, mbase nga Qeveria, që të evidencojnë pakënaqësitë e grupit jo dhe aq të madh të shipkovicasve të cilët kishin dalë ta presin mesditën e kësaj të hëneje.

Ndërkaq, Ejup Halimi, bashkërendues i  Komisionit qeveritar për vlerësimin e dëmeve të vitit të kaluar në anën e Tetovës thotë për televizionin Art se në Shipkovicë janë evidencuar mbi 90 raste për zhdëmtime.

Halimi tha për Televizionin tonë se në emër të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e para një viti, në anën e Tetovës, janë ndarë diku rreth njëmilion e treqindmijë euro. /S. XH. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia