close
Screenshot_6

Kundërshtohen paralelet shqipe në klasën e gjashtë


Klasa të zbrazëta dhe drejtori pas derës së mbyllur – kjo ishte pamja në shkollën fillore ‘Petar Petroviq-Njegosh’ në fshatin e Shkupit Jurumleri. Gjithçka filloi me kundërshtimin e një grupi të prindërve – nxënësit të cilët deri në klasën e pestë kanë ndjekur mësimin në gjuhën shqipe, të vazhdojnë të mësojnë shqip edhe në klasën e gjashtë. Drejtori me anë të sigurimit i mbante larg mediat, nga komuna Gazi Babë na premtuan se do të përgjigjen, por deri pasdite nuk pati përgjigje, ndërsa për këtë çështje është prononcuar edhe ministri i Arsimit Arbër Ademi.

Oborri i shkollës fillore “Petar Petroviq-Njegosh” në fshatin e Shkupit Jurumleri sot ishte i zbrazët, ndërsa dera e hyrjes në objektin e shkollës e mbyllur. Nxënësit nuk e ndoqën mësimin për shkak të bojkotimit nga një grup i prindërve, të cilët e kundërshtojnë formimin e paraleleve në gjuhë shqipe në klasën e gjashtë, ndërsa drejtori Nikolla Nastevski qëndronte pas derës së mbyllur që me çdo kusht t’u ikë gazetarëve, të ardhur për të pyetur çfarë do të ndodhë më tej. Personat e sigurimit, të cilët ndaluan para gazetarëve, madje kishin sqarim për problemin kryesor.

Klan: Vijnë edhe nga vendet tjera, nuk janë nga Jurumleri nxënësit?

Sigurimi: Nuk janë vetëm nga Jurumleri.

Klan: Sa nxënës mësojnë në gjuhën shqipe?

Sigurimi: Në Jurumleri nuk ekzistojnë shqiptar.

Sigurimi: 145 familje, vetëm 4 familje janë shqiptarë në lagjen e Gazi Babës.

Pasi sqaroi qëndrimin e tij, personi i veshur në të kuqe, u kërcënua se do të duhet ta thërrasë policinë që t’i mënjanojë ekipet e gazetarëve nga oborri i shkollës.

…Duhet të thërras 192, të dëgjohem me Alfat, janë duke incizuar…

Në kërkim të përgjigjes shkuam edhe në komunën “Gazi Babë”, e autorizuar për çështjen e arsimit në fshatin Jurumleri, por kryetari i komunës Boris Georgievski nuk ishte në zyrë, ndërsa një person nga kabineti i tij insistonte në komunikim nëpërmjet imeilit. Por krahas premtimeve, nuk morëm përgjigje në pyetjen tonë çfarë është ndërmarrë dhe si do të zgjidhet problemi.

“Për fat të keq kërkesën nga ana e prindërve për hapjen e paraleles së re në gjuhën shqipe kryetari i komunës e mori më 4 shtator, pasiqë kishte filluar viti shkollor. Kryetari i komunës së bashku mke ministrin e Arsimit Arbër Ademi janë takuar me përfaqësues të Këshillit të prindërve dhe i kanë dëgjuar kërkesat e tyre, të cilat po shqyrtohen. Ka më shumë faktorë – si sigurimi i hapësirës për mësim, kuadër shtesë dhe mjete financiare.”- thonë nga Komuna e Gazi Babës.

Zyrtarët komunalë, pas kamerave sqaruan se kërkesa nga Këshilli i prindërve për organizimin e mësimit në gjuhën shqipe në klasën e gjashtë, ka arritur në fillim të këtij viti shkollor, kur ka qenë vonë për seleksionimin e arsimtarëve në lëndët si historia, gjeografia dhe të tjera, si dhe për sigurimin e buxhetit për pagat e tyre. Por edhe se prindërit e kanë refuzuar propozimin – komuna të organizojë transport të përbashkët për dhjetë nxënësit, siç pohojnë, deri në shkollat tjera në rrethinë ku ekzistojnë kushte për mësim në gjuhën shqipe.

Përndryshe, probleme të ngjajshme dhe bojkotimi i mësimit, të ngritura nga ana e prindërve në shkollën fillore Njegosh, për shkak të mësimit në gjuhën shqipe në klasët më të larta kishte edhe para disa vitesh. /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia