close
VendiVideo

SHKUP: MAQEDONIA KA MUNGESË POLICËSH

2016-07-18_133746

Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur konkurs për pranimin e 600 policëve të rinjë. Nga atje bëjnë të ditur se shpallja e këtij konkursi vjen pasi vendi ka mungesë të policëve dhe se numri i tyre është nën standardin botëror, si dhe për atë se deri në vitin 2020, në pension do të dalin 1200 policë, por edhe 200 pjesëtarë të shërbimeve tjera.

Sipas Ministrit të Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov, shpallja e konkursit për 600 kandidat të rinjë është bazuar në zhvillimin e startegjisë dhe menaxhimin e burimeve njerëzore në MPB, por edhe për shkak të kërcënimeve aktuale për sigurinë e vendit dhe të rajonit.

“Jemi bazuar në nevojat domosdoshme  të analizave dhe të vlerësimeve, siç e dini nevojat e domosdoshme, evidente janë kanosjet aktuale jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. Fakt është se kemi mungesë të nëpunësve të uniformuar. Edhe me këtë gjeneratë të kandidatëve dëshirojmë të amortizojmë këtë mungesë. Mesatarja evropiane është rreth 300 policë për 100 mijë banorë, ne në MPB këtë mesatare ende nuk e kemi arritur”- deklaron Mitko Çavkov-Ministër i Punëve të Brendshme.

Ndërkaq i pyetur se pse shpallet konkurs për pranim të 600 nëpunësve të rinjë policorë në kohë kur në vijim janë negociata partiake në Përzhinë, ndërsa një prej pikave është edhe kompetencat e ministrit të Punëve të Brendshme, Çavkov ishte i prerë se nuk duhet të përzihen këto procese me funksionimin e MPB-së.

Se sa do të jetë numri i kandidatëve shqiptar që do të pranohen në këtë konkurs Zv. Ministri i punëve të Brendshme Agim Nuhiu tha se përfaqësimi i shqiptarëve  është i garantuar me kushtetutë.

Nuhiu gjithashtu bëri thirrje kandidatëve shqiptarë që të paraqiten në këtë konkurs, duke paralajmëruar edhe lehtësira në procedurën për selektim të kandidatëve për policë.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se në sektorët rajonal për punë të Brendshme ka 50 deri në 60 për qind përmbushje të nevojave për nëpunës policorë, por më alarmante është gjendja në SPB-Shkup ku ka 145 nëpunës policorë në 100 mijë banorë. 600 kandidatët  për nëpunës policorë,  nga tetori  do ta fillojnë trajnimin 12-mujor. /H. A. /

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia