close
unnamed

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë, Mathew Palmer, ka nisur vizitën e tij njëditore në Shkup me takimin e Kryetarit e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti. Në një njoftim të kabinetit të shefit të integristëve thuhet se në takim janë diskutuar zhvillimet e fundit politike në Maqedoni, zbatimi i Marrëveshjes së Prespës dhe i reformave si dhe integrimit euro-atlantik i vendit.

Me këtë rast, Ahmeti ka nënvizuar përpjekjet për të arritur përkrahjen e nevojshme në Kuvend dhe që dita e premte, kur u arrit pëlqimi për çeljen e ndryshimeve kushtetuese, ishte vetëm fillimi i një procesi disamujor që kërkon zbatimi i Marrëveshjes së Prespës: ‘Përkushtimi jonë konstruktiv nuk do të mungojë as në javët në vijim deri në rrumbullakësim të procesit për integrimin e vendit në NATO dhe BE,’- theksohet në njoftimin e BDI-së. Po ashtu, në të nënvizohet se Maqedonia dhe rajoni nuk kanë alternativë tjetër përveç integrimit euro-atlantik dhe miratimit të standardeve perëndimore demokratike.

Bëhet e ditur se në takimin Palmer-Ahmeti ka asistuar edhe ambasadori i SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli.

Palmer është takuar edhe me kreun e Lëvizjes Besa, Afrim Gashi. Në njoftimin e shërbimit për informim të kësaj partie thuhet se Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit ka falënderuar kryetarin Gashi për rolin e tij konstruktiv për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend dhe ka inkurajuar për implementim të mëtutjeshëm të Marrëveshjes së Prespës si mundësi e vetme për hapjen e perspektivës euro-atlantike të vendit.

Kryetari Gashi, thuhet në njoftim, ka siguruar bashkëbiseduesin e tij se Lëvizja BESA me tërë kapacitet e sajë do të vazhdojë të jetë në dispozicion të implementimit sa më të shpejtë të Marrëveshjes së Prespës dhe të anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE. /Klan Macedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia