close
Screenshot_5

Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së veprimtarit Kolë Bojaxhiu, i ati i humanistes së madhe shqiptare Nënë Tereza, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Shtëpia Përkujtimore e Nënë Terezës organizuan akademi përkujtimore. Në këtë aktivitet morën pjesë Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut Gjergj Deda, kleriku i njohur nga Kosova Don Lush Gjergji, si dhe shumë mysafir nga Kosova e Shqipëria.

Shkupi më së miri argumenton autoktonësinë e pa ndërprerë iliro- arbërore-shqiptare. Kështu do të shprehet gjatë akademisë përkujtimore Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni, Skënder Asani.

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni Gjergj Deda vlerësoi se Kolë Bojaxhiu ka qenë një ndër figurat që e ka bërë popullin shqiptarë të ketë një dinjitet, siç tha, jo vetëm në rajon, por edhe Evropë e botë.

I pranishëm në këtë akademi shkencore ishte edhe kleriku i njohur nga Kosova Don Lush Gjergji i cili shpalosi veprimtarinë e Kolë Bojaxhiut në rolin e tij për të drejtat dhe liritë e shqiptare, ku, sipas tij, e pagoi me jetë.

Akademia shkencore u realizua në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” por gjithashtu u bënë homazhe tek varri i Kolë Bojaxhiut në varrezat katolike në Butel të Shkupit. /Lindita Aliu/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia