close
Vendi

SHKUP: PSP-ja ME TRE HETIME TË REJA

katica-janeva-psp

Kërkohet vazhdimi i mandatit të PSP-së


 

Prokuroria Speciale Publike ka hapur tri procedura të reja hetimore për tre raste, ku pjesa më e madhe ka të bëjë me finansimin e jashtëligjshëm të partisë VMRO-DPMNE. Në tre rastet janë dyshuar njëzet persona, prej të cilëve disa për larje parash, kurse një pjesë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Lideri i VMRO-DPMNE-së është i dyshuar në dy, nga tre rastet.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së dhe funksionarë tjerë të lartë të kësaj partie janë të dyshuar për larje parash dhe financim të jashtëligjshëm të partisë në hetimin “Talir”, që sot e publikoi PSP-ja. Prokurorja Speciale Publike Katica Janeva ka theksuar se lëndë e hetimit nuk është partia politike, por individë që kanë keqpërdorur partinë dhe kanë dëmtuar imazhin dhe reputacionin e saj. Gjithsejt janë të dyshuar 11 persona.

Prokurorja Fatime Fetai ka theksuar se i dyshuari i parë Nikola Gruevski nga viti 2009 deri në vitin 2015 ka mundësuar finansim të jashtëligjshëm të partisë për të përforcuar fuqinë e tij në parti dhe shtet. Ai është i dyshuar se ka formuar një grup personash që është marrë me larje parash, respektivisht kanë keqpërdorur të dhënat e një pjese të anëtarësisë partiake dhe në emër të tyre kanë paguar para të gatshme në xhirollogarinë partiake, ku paguesve u janë vendosur të dhëna të gabuara.

Prokurorja Lence Ristovska ka theksuar se fletëpagesat janë mbushur me dorëshkrim të njëjtë dhe janë paguar prej 20 deri 30 sekonda. Në këtë mënyrë nga viti 2009 deri vitin 2015 në xhirollogarinë partiake kanë hyrë rreth 5 milionë euro, e më pas këto mjete janë shfrytëzuar për harxhime të rregullta partiake, por edhe për blerje të pronës. PSP-ja ka njoftuar se një pjesë e kësaj prone nuk shfrytëzohet për qëllime partiake dhe nuk ka shenja partiake.

Funksionarë të VMRO-DPMNE-së gjithashtu janë të dyshuar për keqpërdorimin e detyrës zyrtare gjatë ndërtimit të selisë qendrore të partisë në Shkup nga ana e firmës ndërtimore “Beton”. Sipas PSP-së, mospërputhshmëria në investimin nga ana e VMRO-DPMNE-së dhe të firmës “Beton” vlerësohet si donacion nga BETON-I, që partia nuk ka guxuar ta pranojë duke marrë parasysh se firma ndërtimore ka kryer punë publike. Në këtë rast janë të dyshuar pesë persona.

PSP-ja do të kërkojë ngrirjen e pronës së VMRO-DPMNE-së ky dyshohet se është marrë në mënyrë të jashtëligjshme, mes të cilave edhe selia partiake në Shkup.

PSP-ja sot ka hapur edhe dy hetime të reja. Hetimi “TALIR” ka të bëjë me ndërtimin e jashtëligjshëm të tri uikend-shtëpizave në Zelenikovë të Shkupit, kurse hetimi “Trajektorja” lidhur me tenderin e për autostradat kineze Miladinovcë – Shtip dhe Kërcovë – Ohër. Ky hetim zhvillohet kundër katër personave, ish- funksionarë të lartë qeveritar të cilët në pjesën e dytë të vitit 2012 dhe 2013 kanë ndërmarrë më shumë veprime lidhur me zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave, me çka kanë shkaktuar dëm në buxhetin e shtetit në vlerë prej 155 milionë e 117 mijë e 172 euro.

Prokurorja Speciale Publike Katica Janeva kërkoi nga shumica e re parlamentare që të pezullohet neni 22 nga Ligji për Prokurori Speciale Publike me çka do të vazhdohej puna e kësaj prokurorie. Tha se 55 për qind nga bisedimet e përgjuara që i posedojnë tani nuk shqyrtohet dhe se punojnë në raste të hapura në bazë të të dhënave të përpunuara. /Art Channel/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia