close
Vendi

SHKUP: VICTORIA NULAND KËRKON KAPËRCIMIN E KRIZËS

Permanent Representative of the North At

Ndihmës sekretarja e SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Viktoria Nuland u largua nga Shkupi e inkurajuar pas takimit me udhëheqësit politik të vendit, ajo shpreson se gjatë ditëve në vijim do të zhvillohet dialog politik për daljen e vendit  nga kriza politike.

Diplomatja e lartë amerikane për  Çështje Evropiane dhe Euroaziatike,Viktoria Nuland, është shprehur në fund të qëndrimit të saj disa orësh në Shkup se kishte pasur një ditë produktive dhe shumë të rëndësishme për Maqedoninë. Pa dhënë më shumë hollësi, zonja Nuland tha se ka vullnet politik për kapërcimin e krizës dhe se tani është koha për të vepruar.

Partitë më të mëdha kanë diskutuar për zgjedhje disa here para se vija unë. Sot pata takim me katër liderët e partive më të mëdha dhe më duhet të them se po largohem nga Shkupi e inkurajuar nga ajo që kam dëgjuar. Ditëve në vijim ne shpresojmë se ekipet negociuese do të pajtohen me idetë që janë në tavolinë dhe t’i hapin rrugë zgjedhjeve. Kjo sigurisht kërkon gatishmëri nga të gjitha palët, edhe unë gjatë ditës së sotme e ndjeva se ajo gatishmëri egziston, gjithsesi ambasadori Bejli dhe ekipi ynë do të vazhdojnë punën e tyre së bashku me BE-në që të ndihmojnë që të arrihet marrëveshje sa më shpejtë që mundet” – thotë Viktoria Nuland-diplomate e lartë amerikane.

Ajo ka folur edhe për ide për të mundësuar funksionimin e suksesshëm të Prokurorisë së Posaçme Publike, për çka, ka deklaruar ajo, lipset pëlqimi i të gjitha palëve.

Gjithashtu pata mundësinë të takojë zonjën Janeva dhe ekipin e saj. Puna e saj është e një rëndësie jetësore për të kthyer sundimin e plotë të ligjit me kompetencë dhe me një sistem të pastër drejtësie të këtij vendi, gjë që është me rëndësi thelbësore që Maqedonia të arrijë objektivat e saj euro-atlantike, për të arritur qëllimet e saj e të qenët anëtare e BE-së dhe NATO-s, dicka për të cilën ka mbështetje të plotë nga ana e SHBA-ve”- deklaron Viktoria Nuland-diplomate e lartë amerikane.

Këto komente, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit i bëri pas takimeve me liderët e katër partive – nënshkrues të Marrëveshjes së Përzhinës, Ali Ahmetin, Menduh Thaçin, Zoran Zaevin e Nikola Gruevskin, si dhe me mninistrin e Jashtëm Nikola Poposki, kreun e Prokurorisë Speciale Publike, Katica Janeva dhhe përfaqësues të medias e të shoqërisë civile.

Në njoftimin e Bashkimit Demokratik për Integrim theksohet se lideri i kësaj partie, Ali Ahmeti ka deklaruar se, citojmë, BD-ja është pjesa më konstruktive e zgjidhjes së çështjes si dhe shprehu optimizëm për arritje të shpejtë të zgjidhjes kompromise. Ky kompromis duhet të rezultojë me zgjedhje gjithëpërfshirëse, të besueshme dhe demokratike sa më shpejtë që është e mundur. Qëndrimi i integristëve është se partitë duhet të bien paraprakisht dakord se janë plotësuar kushtet për zgjedhje e më pas të caktohet data e zgjedhjeve të parakohëshme.

Kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, nga ana e tij, nga takimi me diplomaten amerikane doli me përshtypjen se Shtetet e Bashkuara kanë një interesim të jashtëzakonshëm që të na ndihmojë të largohemi prej kësaj pike të krizës. Sipas tij, zhbllokimi i gjendjes duhet të ndodhë gjatë ditëve në vazhdim.

Kriza politike dhe mënyra për zgjidhjen e saj kanë qenë kryefjala e takimit të diplomatës së lart amerikane me liderin e LSDM-së Zoran Zaev. Në kumtesën e Socialdemokratëve theksohet se të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakord për sigurimin e listës së spastruar të besueshme, zgjedhore, dhe raportin objektiv të medias si parakusht për zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat, thuhet në kumtes do të mbaheshin në nëntor. Për këtë qëllim sipas LSDM-së është i domosdoshëm formimi i një qeverie e cila do të organizojë dhe zbatojë zgjedhje të rregullta, qeveri kjo e cila duhet të formohet në pajtim me të gjitha aspektet e marrëveshjes së Përzhinës.

Në kumtesën partiake të VMRO DPMNE-së theksohet se në takimin me zonjën Nuland kreu i kësaj partie Nikolla Gruevski ka nënvizuar se zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme nga kriza, sikurse thuhet e imponuar politike nga ana e opozitës, se VMRO-ja është e përgatitur për to, por se për këtë është i nevojshëm edhe obligimi i opozitës se janë plotësuar të gjitha kushtet për zgjedhje dhe se do të marrin pjesë në to, për shkak se-vlerëson partia e Gruevskit nuk duhet të krijohen pretekse të reja për shtyerjen e tyre të re. Në njoftim e kësaj partie thuhet se në takim është nënvizuar nga VMRO DPMNE rëndësia e aderimit në NATO për përparimin në porceset integruese të vendit.

Ndihmës sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike,Viktoria Nuland, para qëndrimit  në Shkup ishte në Prishtinë e Tiranë. Pas dite do të qëndrojë në Beograd, ndërsa turnet e rajonit do t’i jap fund me vizitën në Qipro. /H. A. /

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia