close
Screenshot_1

Kryeministri Zaev optimist për datën e negociatave


Në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë së Veriut është mbajtur konferenca ndërkombëtare “Drejt konceptit për një shoqëri dhe interkulturalizëm”. Qeveria është në përgatitjen e një strategjie kombëtare të këtij koncepti që konsiderohet si mjaft e rëndësishme në rrugëtimin e Shkupit drejt strukturave euro-atlantike.

Disa ditë para vendimit përfundimtar të Këshillit të Ministrave të BE-së në Bruksel, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut mbetet optimist se do të ketë një vendim pozitiv për datën e negociatave. Qeveria është duke përgatitur një strategji kombëtare për zhvillimin e konceptit për një shoqëri, me qëllim, siç thuhet, të krijohet një shoqëri kohezive me vlera evropiane.

“Dallimet në shoqërinë tonë i vlerësojmë si përparësi. Do të vazhdojnë t`i mësojmë brzat e ardhshëm se solidariteti, toleranca janë përfitime dhe kështu të bashkuar të vazhdojmë rrugëtimin në NATO dhe BE.” -tha Zoran Zaev, Kryeministri i RMV-së.

Komisari i lartë për Pakica Kombëtare të OSBE-së Lamberto Zanier theksoi se kjo strategji paraqet inspirim në botën e sotme ku ka shumë shembuj të shoqërive të ndara.

“Me rëndësi për OSBE-në dhe OKB-në janë rregullat për shoqëri kohezive. Kjo strategji pranon dallimet dhe është e qartë se zbatimi i saj dhe i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka për qëllim t`i zgjidhë sfidat, të mundësojë integrimin dhe të ndërpresë trendet dhe politikat e vjetra.”-deklaroi Lamberto Zanier, Komisar i Lartë i OSBE-së për pakica.

Përkrahjen nga BE-ja e konfirmoi Shefi i Delegacionit të BE-së në Shkup.

“Kryesorja është se ndryshimi vjen nga niveli individual dhe kësisoji të gjitha masat e Qeverisë do të japin rezultate. BE-ja jep përkrahje politike e financiare në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe promovon dialogun etnik.” -shprehet Samuel Zhbogar, Ambasador i BE-së në Shkup.

Nga diskutimet, ku janë të kyçur ekspertë, deputetë dhe profesorë universitarë duhet të dalë revizioni përfundimtar dhe rrumbullaksimi i procesit për miratimin final të strategjisë, që konsiderohet e një rëndësie të veçantë për Maqedoninë e Veriut në integrimet në strukturat euro-atlantike. /Verica Dimitrijevska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia