close
Rajoni

SHQIPËRI: KOMPENSIMI I DËMEVE NGA TËRMETI

1574849035_TERMETI

Boshllëqe ligjore për sigurimin e detyruar


Tërmeti i 26 nëntorit, në Shqipëri, ka riaktualizuar edhe çështjen e sigurimit të detyrueshëm të objekteve. Qeveria ka thënë se dëmet do të kompensohen qind për qind nga buxheti i shtetit dhe donatorët, por ende është e paqartë se si do të bëhet kjo.

Tërmeti i 26 nëntorit në zonën e Durrësit, Thumanës e të Tiranës do të jetë një katastrofë shumëvjeçare për ekonominë shqiptare. Kjo fatkeqësi e rëndë natyrore ka aktualizuar edhe çështjen e përballimit të dëmeve të kësaj natyre, në të ardhmen. Vendosja me ligj e sigurimit të detyrueshëm nga katastrofat në raporte të përballueshme dhe sipas risqeve të katastrofave, sipas zonave dhe mundësisë së kompensimit nga qeveria për familjet e varfra, rezulton se do të ishte një zgjidhje më efikase. Kjo, sepse do të transferonte riskun e buxhetit të shtetit, që është i detyrueshëm sepse vjen nga taksapaguesit, te kompanitë e sigurimit dhe edhe tek risiguruesit jashtë Shqipërisë.

Problemi bëhet më i vështirë kur të dihet se një projektligj që rregullon këtë çështje ka mbetur nëpër sirtarët e administratës, aniqë Qeveria tha se do të kompensote dëmet qind për qind. Në fakt, media në Tiranë rikujton se prej rreth tetë vitesh është diskutuar për një projektligj që do ta bënte të detyrueshëm sigurimin nga katastrofat, tërmetet mbi pesë ballë dhe përmbytjet nga shirat e zgjatura, pa gjetur një konsensus mes palëve të interesuara.

Në vitin 2011, kur Banka Botërore në bashkëpunim me Korporatëtn Financiare Ndërkombëtare propozuan zhvillimin e sigurimeve përballë sfidave të reja, përfshirë dhe sigurimin nga katastrofat, nisma e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për ta materializuar në një ligj, u kritikua nga grupet e interesit dhe media, si një favor që po u bëhej kompanive të sigurimit dhe për pasojë situata është çfarë është aktualisht – e paqartë: “Në mënyrë që të adresohet impakti social dhe impakti fiskal nga katastrofat natyrore, ne rekomandojnë vendosjen e një programi kombëtar të detyrueshëm për tërmetet. Përveç se mbetet gjerësisht i ekspozuar ndaj tërmeteve, sigurimi nga tërmetet për shtëpitë është pothuajse inekzistent, duke lënë kështu pronarët e shtëpive dhe qeverinë, financiarisht të prekshme nga katastrofat natyrore” – shprehej vite më parë për këtë çështje Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Për paradoks të ngjarjeve natyrore që goditën Shqipërinë në fund të shtatorit dhe më 26 nëntor të vitit 2019, të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po mendojnë gjithnjë e më pak për sigurimin vullnetar nga zjarri dhe forcat e natyrës. Sigurimi i ndërtesave zë një pjesë të vogël të industrisë së sigurimeve dhe zbatohet kryesisht në rastet e vendosjes së tyre si kolateral për kredi nga bankat, ose në rastet e bizneseve të rrezikuara nga përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, si zjarret dhe tërmetet. Tërmetet e këtij fundviti lëvizën qeverinë drejt sigurimit të ndërtesave të reja, por duket se kjo nuk është e mjaftueshme, pasi të njëjtat treguan se dëmet mund të jenë katastrofike dhe të papërballueshme nga buxheti i shtetit. /Monitor&Klan Macedonia/

 

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia