close
Rajoni

Shqipëri, shtyhet për më 10 maj nisja e procesit për presidentin e ri

02d10000-0aff-0242-80ca-08da2deb1a60_cx3_cy0_cw96_w1023_r1_s

Në Shqipëri, shumica socialiste dhe përfaqësuesit e opozitës ranë sot dakort të spostojnë dhe me disa ditë të tjera nisjen e procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Socialistët kishin propozuar që mbledhja e sotme e Konferencës së kryetarëve të shënonte fillimin e procesit. Por kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj, kërkoi që të lihet më shumë kohë dhe procedurat të nisin më datën 10 maj. Kërkesa e tij u pranua nga socialistët. Kryetari i grupit të tyre parlamentar, Taulant Balla, theksoi se ata ishin të interesuar për zgjedhjen e një presidenti për të gjithë shqiptarët dhe jo për socialistët, siç u shpreh.

Raundi i parë i votimit parashikohet të zhvillohet më datë 16 maj. Për zgjedhjen e Kreut të Shtetit mbahen deri në 5 raunde votimi. Në tre të parat nevojitet një shumicë e cilësuar, ndërsa në dy raundet e fundit, presidenti mund të zgjidhet dhe me shumicë të thjeshtë.

Palët deri më tani duken të hapura për të dialoguar drejt një figure konsensuale dhe pritet që të zhvillojnë bisedime të përbashkëta. Mbetet për t’u parë se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i Partisë Demokratike. Zoti Alibeaj është shprehur hapur për nevojën e përfshirjes së opozitës në zgjedhjen e kreut të Shtetit, ndërkohë që ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij kanë folur për një proces farsë, në të cilin opozita, sipas tyre, nuk duhet të bëhet pjesë./VOA

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia